Ylli kosovar i Werder Bremenit, Milot Rashica, është duke u përfolur për një transferim potencial në Borussia Dortmund, pasi që drejtuesit e Dortmundit janë në kërkim për një zëvendësues për Jadon Sanchon.
Drejtuesit e Borussia Dortmundit e shohin Milot Rashicën e Werder Bremenit si zëvendësuesin më të përsosur për talentin anglez Jadon Sancho, sipas gazetës gjermane Deichstube.
Sancho është përfolur se do të largohet nga Dortmundi në fund të këtij sezoni, gjatë afatit kalimtar të verës. Edhe SKy Sport raportoi javën e kaluar se është e sigurt që 19-vjeçari do ta vazhdojë karrierën e tij diku tjetër sezonin e ardhshëm.
Për këtë arsye, Dortmundi ka filluar të kërkojë për një zëvendësues potencial dhe Milot Rashica është identifikuar si opsioni më i përsosur për anglezin.
Pas Weser-Kurier, kontrata e Rashicën me Bremenin përfshin një klauzolë për shkëputjen e kontratës në vlerë prej 38 milionë eurosh, mirëpo kjo klauzolë vlen vetëm për klubet jashtë Gjermanisë.
Agjenti i Rashicës, Altin Lala, së fundi e ka pranuar se ai ka biseduar me një numër të klubeve të interesuara.
Megjithatë, deri më tani, Bremeni s’ka marrë asnjë ofertë zyrtare për anësorin, sipas drejtorit sportiv Frank Baumann.
“Është e ditur se Miloti e ka një vlerë në treg. Ne kemi marrë vesh përmes agjentit të tij se për të janë të interesuar një numër i klubeve. Por, ne s’kemi negociuar me asnjë klub”, ka thënë Baumann.
Rashica, i cili ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022, i ka bërë 21 paraqitje këtë sezon me dhjetë gola dhe katër asiste./GE