Emri i tij gjithnjë e më shumë lidhet me klube nga Italia, Spanja e Gjermania. Vitesse pret të fitoi miliona euro nga Milot Rashica, 21-vjeçar. Ai shpreson t’i bëjë familjen dhe vendlindjen krenare, transmeton Koha Ditore.
Ai duhet të qeshë për deklaratat e trajnerëve që i kishte në Kosovë. Në një emision televiziv ata deklaruan se Rashica do të luajë për Chelsean apo Real Madridin me kualitetin që e ka.
“Ata thjesht janë krenarë me mua dhe më dëshirojnë sukses. Natyrisht unë shpresoj të luaj në një klub të nivelit aq të lartë dhe jam ambicioz. Por unë bëj rrugëtimin hap pas hapi. Unë, po ashtu, kam dëgjuar se shumë klube po më përcjellin. Do të shohim se çka do të ndodhë”, ka thënë Rashica.
“Tani jam i lumtur te Vitesse, mund të rritem ende këtu. Hapi i radhës do të jetë i rëndësishëm për mua. Kur të largohem nga Vitesse dua të shkoj te një klub ku do të luaj shumë. Nëse diçka vërtet e mirë vjen, do të ulemi dhe do të bisedojmë. Unë jam i durueshëm”, ka thënë futbollisti i Kosovës.