Rashicës i besohen penalltitë te Werderi

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, tash e tutje do të ketë edhe një përgjegjësi shtesë te Werder Bremeni, pasi është caktuar t’i gjuajë penalltitë për pjesën e mbetur të këtij edicioni, kanë njoftuar të enjten mediumet gjermane.

Këtë përgjegjësi deri më tash e ka pasur Davy Klaassen, por gjatë këtij edicioni mesfushori holandez i ka humbur dy prej tyre dhe për këtë arsye trajneri Florian Kohfeld ka vendosur që penalltitë tash e tutje t’ia besojë Rashicës, shkruan sot Koha Ditore.

Rashica këtë edicion ka shënuar gjashtë gola në të gjitha garat me klubin, ku katër prej tyre i ka në Bundesligë. Në fakt, njërin prej golave në kampionat, Rashica e ka shënuar nga pika e bardhë në barazimin 2:2 ndaj Eintracht Frankfurtit, derisa Klaassen ishte duke marrë ndihmën mjekësore jashtë fushës. Klaassen tashmë ka pranuar se ka biseduar për çështjen e penalltive me trajnerin Kohfeld dhe është pajtuar që të mos e ketë më përgjegjësinë e gjuajtjeve nga pika e bardhë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme