Kryetari i Partisë Progresive Demokratike, Nenad Rashiq, ka akuzuar Listën Serbe dhe strukturat e mbështetura nga Beogradi për presione politike, ekonomike dhe personale ndaj kundërshtarëve politikë në komunitetin serb në Kosovë.
Duke folur për angazhimin e tij politik ndër vite, Rashiq tha se ka përfaqësuar një politikë të moderuar dhe evropiane, e cila synon integrimin dhe zhvillimin e komunitetit serb brenda institucioneve të Kosovës.
“E kam pasur një përfaqësim, po e them kështu, të sinqertë, konstruktiv, korrekt. Ose më mirë të them, kam dashur që t’i reprezantoj të gjithë ata, në veçanti nga radhët e komunitetit serb, për një politikë të moderuar, moderne, evropiane, e cila ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve brenda institucioneve të Kosovës. Kështu që, duke i ditur dhe duke i përmendur krejt këto elemente, gjithmonë prej fillimit të krijimit të një strukture tjetër e cila përkrahet nga Beogradi – në këtë rast është kjo Lista Serbe – ne kemi pasur shumë sfida”, tha Rashiq në RTV21.
Ai pretendoi se presionet nuk kanë qenë vetëm politike, por edhe personale e familjare.
“Jo vetëm nga aspekti politik, por edhe nga aspekti personal, individual e familjar, sepse ato struktura nuk dinë asgjë tjetër përveçse të bëjnë presion dhe të veprojnë në mënyrë të dhunshme ndaj nesh e ndaj çdo oponenti. Edhe kësaj radhe po përsëritet i njëjti send. Kemi pasur raste të largimit nga puna, ndërprerjes së kontratave e kështu me radhë. Dhe kjo është vetëm një pjesë”, deklaroi ai.
Rashiq akuzoi gjithashtu autoritetet serbe për kushtëzimin e qytetarëve që përfitojnë nga skemat sociale në Serbi, duke pretenduar se atyre u kërkohet të votojnë për Listën Serbe.
“Të gjithë ata që në çfarëdo forme janë përdorues ose përfitues të skemave sociale në Serbi, janë të ftuar grup pas grupi – qoftë në Merdare, qoftë në Vranjë, qoftë në Rashkë – me një trajtim absolutisht të vrazhdë. Aty trajtohen në mënyrë të tillë që duhet ta votojnë gjithqysh Listën Serbe, sepse përndryshe i humbin krejt beneficionet, ua ndalojnë mundësinë e hyrjes në Serbi e krejt kështu me radhë”, tha ai.
Sipas Rashiqit, situata është bërë edhe më e rëndë gjatë javëve të fundit.
“Është një metodologji që fatkeqësisht është e njohur për ne. Por sot, edhe kësaj radhe, është një ngritje niveli, sepse kjo po ndërlidhet me gjendjen e institucioneve në Serbi. Është e njëjta histori, por tash edhe më brutale, me një nivel pak më të ashpër ndaj të gjithë nesh që na konsiderojnë njerëz normalë, të cilët mendojnë se sistemi kosovar është një bazë ku mund të funksionohet”, u shpreh ai.
Duke folur për mbështetjen që gëzon në mesin e qytetarëve serbë, Rashiq tha se shumica ndajnë të njëjtat pikëpamje me të, por se gjatë fushatave zgjedhore aktivizohet një mekanizëm i gjerë presioni dhe propagande.
“Po të kishim pasur një sondazh në momentet kur nuk ka fushatë zgjedhore, do të shihnit që 95 për qind e njerëzve mendojnë njëjtë sikur unë. Por kur vjen koha e zgjedhjeve përdoren të gjithë mekanizmat. Duke nisur prej deklaratave të para që dalin nga presidenti apo shefi i Zyrës për Kosovën, deri te aparati medial. Shumica e mediave janë në pronësi apo në duart e diktaturës në Beograd ose të ndërlidhura me të”, tha ai.
Ai shtoi se vazhdimisht është objekt i sulmeve mediale dhe presioneve ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
“Ata përdorin një vokabular ndaj nesh, ndaj meje, sikur jam njeriu më i keq i mundshëm dhe kjo po përsëritet që dy javë. Më besoni, po të shikoni sonte RTS-in, jam i sigurt që do të gjeni ndonjë storie për mua se sa i keq jam. Vetëm dje kemi pasur një rast ku një nga bashkëpunëtorët e mi ka qenë i ndaluar rreth 12 orë në kufi, me marrje në pyetje, shantazhe dhe maltretime”, deklaroi Rashiq.
Ai tha se partia që drejton ka bërë sakrifica të mëdha për të promovuar vlerat demokratike dhe integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
“Besoj që jemi një parti politike që është sakrifikuar më së shumti sa i përket një besimi politik që synon zhvillimin demokratik dhe vlerat demokratike që mund të aplikohen këtu në Kosovë”, shtoi Rashiq.