Rashiq: S’e shoh gatishmërinë e Serbisë për zbatim të marrëveshjeve, serbët e Kosovës po mbahen me mentalitet të viteve ’90

Prishtinë | 04 Qer 2026 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Progresive Demokratike, Nenad Rashiq, ka deklaruar se në këtë fazë nuk sheh vullnet nga Serbia për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, duke theksuar se një qasje më e qartë mund të vijë vetëm nëse ato fillojnë të implementohen në praktikë.

I pyetur se si do të ndikonte procesi i dialogut në serbët e Kosovës, Rashiq tha se aktualisht nuk ekziston asnjë sinjal për ndryshim substancial në terren dhe se ndikimi i Beogradit mbetet ende i fortë.

“Nuk e shoh në këtë moment. Nuk shoh asnjë vullnet ose gatishmëri që, bile, ato marrëveshje që kemi pasur të zbatohen. Dhe ndoshta, gjatë procesit të zbatimit, eventualisht mundet, nëse institucionet e Kosovës – siç është për shembull, ta supozojmë (nuk kam ndonjë informacion të ri, por ta supozojmë) – që ai draft-statuti që është prezantuar për Asociacionin, që në një formë tash po aludon në tema siç janë shëndetësia dhe arsimi, ku i prek ky statut në thonjëza. Ky draft-dokument i prek deri diku ato elemente”, tha ai në RTV21.

Ai theksoi se vetëm nëse marrëveshjet fillojnë të zbatohen mund të krijohet një pasqyrë më e qartë për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë.

“Eventualisht me kohë, nëse këto marrëveshje mund të zbatohen, ndoshta do të kishim pasur një insight (një qasje të brendshme), si me thënë, me pasur një qasje pak më të afërt se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, ku mund eventualisht të pavarësohet nga ndikimi politik i Beogradit. Në këtë moment, një gjë të tillë unë nuk e shoh dhe nuk mund ta parashikoj, të them të vërtetën, se kur mund të ndodhë një gjë e tillë”, thotë Rashiq.

Rashiq u ndal te problemet dhe nevojat e serbëve në Kosovë, duke thënë se mungesa kryesore është përfaqësimi i duhur politik dhe funksional.

“Të them të vërtetën, tash si politikan po e them unë, sepse po ju jap një shembull: ato strukturat e Listës Serbe është e ditur që janë mafioze, ok? Dhe po ju jap një shembull tjetër: ju keni një komunë – po e marrim si shembull Graçanicën, që është më e afërta me Prishtinën aty. Ata e kanë buxhetin diku 9, 9.5 milionë; këtë vit e kanë 11.5 milionë. Unë, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, e kam buxhetin 6.5 milionë. Ne për tre vite me 6.5 milionë kemi ndërtuar 140 shtëpi, kemi dhënë 550 projekte, mbi 700 subvencione individuale, pako ushqimore dhe teknikë të bardhë. Në krejt këto ne kemi investuar mbi 18 milionë në mënyrë direkte; jo për paga, por në mënyrë direkte 18 milionë. Unë po ju garantoj: nëse bëni një anketë, të dilni në Graçanicë dhe t’i pyesni qytetarët, “A ju kujtohet në 5 vitet e fundit komuna e Graçanicës të ketë zbatuar ndonjë projekt që ka kushtuar më shumë se 50 mijë euro?” Unë po ju garantoj që asnjë qytetar nuk ka për të ditur. Sepse nuk ndodh, sepse nuk ka, nuk bëjnë. Qysh i manipulojnë paratë unë nuk e di, se nuk kam informacion nga brenda, por aty është problemi”, u shpreh Rashiq.

Ai tha se mentaliteti po vjen nga kreu i Serbisë e që i ngjason viteve të 90-ta.

“Dhe kështu, e para që po na mungon është një përfaqësim adekuat. E dyta, normalisht që u mungon një… unë zakonisht them, një kuptim më modern, kuptim i vlerave evropiane, kuptim i pragmatizmit sa i përket funksionimit në institucionet e Kosovës. Përkundrazi kësaj, fatkeqësisht, edhe prej mentalitetit që na vjen nga kreu i Serbisë, po na vjen një mentalitet i viteve ’90. Ku krejt është ashtu nën kontroll; ju saktë mund ta shihni kur shkoni, për shembull, kur kaloni përmes disa fshatrave serbe, sikur jeta ka mbetur aty si në vitet ’90. Është e pabesueshme. Ashtu, nga aspekti mental, domethënë në këtë rast psikologjik, po na duhet që të kuptojmë se jeta po vazhdon. Duhet të jemi të gatshëm që të investojmë në Kosovë, e jo të mbështetemi në disa elemente të tjera të cilat po na shfrytëzojnë për një metodologji më shumë imponuese politike, sesa që me të vërtetë po përkujdesen për ne”, tha tutje ai.

Të ngjashme