“Ndërmjetësuesit edhe mund të ndërrohen siç ka ndodhur deri më tani], por qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së nuk do të ndryshojnë në raport me nevojën për dialog”.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritet që të hënën ta nis vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor.
Vizitën e parë në rajon Lajçak do ta zhvillojë në Prishtinë, për të vazhduar më pas në Beograd dhe Podgoricë.
Mirëpo një intervistë e tij para një jave për portalin European Western Balkans, ku në prapavijë dukej një hartë që e paraqiste Kosovën si pjesë të Serbisë, ka ngjallur shumë reagime brenda opinionit kosovar.
Sidoqoftë analisti politik, Naim Rashiti, thotë se pavarësisht incidenteve, dialogu për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë.
Në një intervistë për klankosova.tv ai thekson se ndërmjetësuesit edhe mund të ndërrohen, por qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të ndryshojnë në raport me nevojën për dialog.
“Mirosllav Lajçak është i emëruar nga Bashkimi Evropian për të lehtësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë edhe me përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përkundër incidenteve, dialogu do të vazhdojë”.
“Ky proces do të jetë shumë i gjatë me apo pa zotin Lajçak. Ndërmjetësuesit edhe mund të ndërrohen [siç ka ndodhur deri më tani], por qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së nuk do të ndryshojnë në raport me nevojën për dialog dhe marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë”.
I pyetur se cili duhet të jetë mesazhi që duhet t’i jap pala kosovare Lajçakut në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Rashiti ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme të bashkëpunojë me BE-në dhe miqtë e saj për ta forcuar pozicionin e Kosovës ndërkombëtarisht.
“Nuk duhet vënë veshin incidenteve, por duhet investuar në përgatitje për procesin e dialogut. Paralelisht Qeveria e Kosovës duhet të punojë me BE-në, miqtë e saj dhe ndërmjetësuesit për ta forcuar pozicionin e Kosovës ndërkombëtarisht dhe krahas dialogut”.
“Lajçak sigurt do t’i takojë të gjithë dhe me liderët politikë ka ndërtuar një komunikim të drejtpërdrejtë. Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit do të jetë bartësi i institucioneve dhe interlokutori kryesorë për Lajçak-un. Nuk ka mundësi për devijime – do të ketë komunikim, bashkëpunim dhe bashkërendim në lidhje me dialogun Kosove-Serbi dhe marrëdhëniet me BE-në”.
“Këto takime kane vetëm një agjendë: Përgatitjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të dialogut dhe kuptimin më të mirë të qëndrimeve të njëri-tjetrit”.
Për t’u informuar më shumë rreth intervistës që Lajçak e ka dhënë për portalin European Western Balkans, klikoni në linkun e mëposhtëm.