Ambasadori norvegjez në Kosovë: Jo të gjitha partitë duhet të jenë pjesë e dialogut

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 16:24 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, ka kërkuar nga spektri politik në vend, konsensus për qasjen ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Diplomati norvegjez thotë se jo të gjitha partitë duhet të jenë pjesë e dialogut, por sipas tij, kontributi i tyre në këtë proces është i nevojshëm.

Ai dha mesazh të qartë se Kosovës nuk i nevojiten politikan të korruptuar, por të përgjegjshëm dhe llogaridhënës.  

“Janë disa mësime kyçe që janë mësuar në vende kyçe, ku është fjala për vendet si Kosovë. Një mësim i përgjithshëm është se duhet arritur besimi i njerëzve në politikanë, se atë çfarë e thonë do e realizojnë. Është koha të bëjmë reforma të qëndrueshme dhe afatgjate në sektorë të caktua. Duhet të kemi politikan të përgjegjshëm dhe llogaridhënës jo të korruptuar. Kosova duhet të ketë më shumë konsensus sa i përket dialogut me Serbinë. Jo të gjitha partitë duhet të jenë pjesë e dialogut mirëpo kontributi i të gjithëve është i nevojshëm. Politikanët duhet të marrin vendime të vështira kur nga ato përfiton shoqëria”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Në lansimin e projektit “Avancimi i institucioneve të Kosovës, demokratizimi dhe bashkëpunimi rajonal” nga Grupi për Ballkan, ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, shtoi se ky projekt ka të bëjë me forcimin e institucioneve.

“Grupi për Ballkanin ka një qasje të gjerë ndaj dialogut. Ky projekt i ri ka të bëjë me forcimin e institucioneve, bashkëpunimin rajonal. Kosova ka shumë burra dhe gra të fuqishëm, Kosova poashtu ka nevojë të ketë institucione të forta. Historia tregon se asnjë vend nuk mund të forcohet pa institucione të forta, ashtu ndodhë edhe me Kosovën. Kosova ka bërë hapa të progresit pas pavarësisë, mirëpo përmirësimet e mëtejshme janë të mirëseardhura”, pohoi ambasadori norvegjez në Kosovë”, u shpreh ambasadori norvegjez.

Të pranishëm gjatë lasnisimit të këtij projekti ishin edhe përfaqësues politik në vend.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur këtë projekt, teksa tha se  programi si i tillë, do të ndihmoj për konsensus për tema të ndryshme në Kosovë.

“Edhe programi i ri që po niset sot e ka rëndësinë e vet sepse në dinamikat e qëllimeve të mëdha po pengojnë në përditshmërinë tonë. Ne kemi plotë sfida në Kosovë dhe sfida kryesore është ngecja në implementim, mirëpo duke qenë kështu bashkë si sot ne do ta shfrytëzojmë çdo mundësi që të ecim përpara. Kjo është më shumë shpresë për konsensus dhe dritare e re për të punuar së bashku në implementimin e vizionit të përbashkët”, tha Haradinaj.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se në Kosovë ka konsensus për dialog, mirëpo sipas tij, mungon parimi për negociata.

“Në Kosovë ka konsensus të plotë. Për dialog, në Kosovë mungon parimi për negociata. Kjo po na mbanë të veçuar neve si LDK. Mas dy dekadave interesi ynë është në diversitet. Tash në ketë fazë të procesit Norvegjia vazhdon të luaj rol te jashtëzakonshëm në Kosovë”, u shpreh Haziri, raporton EO.

Ndërsa, drejtori i Grupit për Ballkan, Naim Rashiti, tha se ky program do të ndihmoj në fusha të ndryshme që janë në interes të vendit.

“Grupi për Ballkan ka disa vite që ka punuar me institucione në disa fusha, aktivitetet kryesore kanë qenë të ndërlidhura me aktivitetin politik në veçanti reformën në agjendën evropiane. Ne kemi punuar në mbështetje të dialogut me Serbinë, dhe agjendën evropiane. Sot lansojmë një program të ri me ndihmën e ambasadës së Norvegjisë. Kontributi ynë është komplementar në zhvillimin e këtyre agjendave. Sot Qeveria e Norvegjisë i ka dhënë një mbështetje të madhe Grupit për Ballkan për të përmbushur misionin e saj në fushat e programit. Gjatë këtij projekti do të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet”, u shpreh Rashiti.

Sipas Rashitit, projekti synon të avancoj në agjendën evropiane të Kosovës.

“Ky projekt synon të avancoj agjendën Evropiane për Kosovën nëpërmjet forcimit të institucioneve, demokratizimit dhe bashkëpunimit rajonal me pjesëmarrje në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ky projekt është dyvjeçarë dhe synon përfshirjen e gjerë të akterëve të cilët mund të ndikojnë në bërjen e ndryshimeve siç janë Qeveria, partitë politike, shoqëria civile dhe mediet”, shtoi Rashiti.  

Përndryshe, projekti është i strukturuar në tri komponentë kryesor: mbështetje për dialogun politik, bashkëpunimin rajonal, përmirësimin e ndarjes së pushteteve, kontrollit dhe balancimi ndërmjet tyre.

Të ngjashme