Shqiptarët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë kanë arritur t’i fitojnë vetëm dy deputetë.
Drejtori i Qendrës për Avokim dhe Zhvillim të Demokracisë, Gani Rashiti ka thënë për RTV Dukagjinin se rezultati ishte befasues pasi opozita serbe e ka bojkotuar procesin dhe dalja në zgjedhje ishte rreth 45%.
Rashiti thotë se shqiptarët në Luginë të Preshevës u bashkuan në një listë të përbashkët vetëm pas insistimit të Gent Cakajt.
“Në të kaluarën shqiptarët iu bashkuan partive boshnjake”, tha ai
Drejtori i Qendrës për Avokim dhe Zhvillim të Demokracisë thotë se shqiptarët edhe në legjislaturën 2014-2018 kanë pasur dy deputetë por sipas tij kësaj radhe është pritur më shumë.
“Lista e shqiptarëve ka qenë shumë e mirë, por ka pasur hezitim nga vet nënshkruesit e kësaj liste që ta mbështesin atë. Është një e vërtetë e hidhur. Në zgjedhjet lokale në Bujanoc kanë votuar rreth 12 mijë shqiptarë apo thënë ndryshe partitë shqiptare kanë marrë 12 vota ndërsa për listën e përbashkët unifikuese kanë qenë vetëm 6 mijë vota. Mund të themi se vet subjektet nënshkruese kanë sabotuar listën shqiptare”.
Rashiti thotë se dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë dukuri pasi sipas tij shqiptarët për 700 vota nuk kanë mundur ta marrin mandatin e tretë.
Ai thotë se nëse do të kishin votuar të 12 mijë shqiptarët e Bujanocit edhe në zgjedhjet parlamentare gjasat kanë qenë që partitë shqiptare të marrin katër deputetë.
“Pritjet tona edhe si vëzhgues kanë qenë që do t’i kemi së paku tre deputetë”.
Rashiti thotë se megjithatë u dëshmua se në ato troje jetojnë mbi 50 mijë shqiptarë e jo siç pretendonte qeveria e Serbisë që thotë se s’ka më shumë se 30 mijë shqiptarë.