Rasim Selmanaj: Jemi të shokuar, ftesa për Haradinajn e ndikuar nga politika

Prishtinë | 19 Kor 2019 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj,  në një lidhje telefonike për RTV Dukagjinin ka thënë se deputetët e kësaj partie as nuk kanë qenë të njoftuar e as që e kanë pritur dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Selmanaj thotë se nuk e kanë pritur as ndonjë ftesë nga Gjykata Speciale në adresë të Kryeministrit pasi sipas tij Haradinaj e ka fituar dy herë drejtësinë ndërkombëtare në Hagë.

“Prej dhjetë vitesh Gjykata e Hagës nuk ka lënë shpifje as letër të Serbisë dhe argatëve të tyre pa verifikuar por Haradinaj ka dalë i pafajshëm. Jemi shumë të befasuar por edhe të shokuar nga ky lajm”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ka dyshime se kjo ftesë ndaj Haradinajt nga Gjykata Speciale mund të ketë ardhur edhe nga interferimet e disa vendeve që nuk ja duan të mirën Kosovës për shkak të qëndrimeve të Kryeministrit në raport me taksën e disa çështjeve tjera të ngritura kohëve të fundit.

“Qëndrimit e zotit Haradinajt ndaj dialogut me Serbinë dhe taksës të bëjnë të dyshosh se mund të ketë interferime tjera…Këtu nuk ka drejtësi. Nuk flitet këtu për drejtësi. Edhe kjo ftesë edhe këto vendime janë të ndikuara nga rrethanat dhe politika”, tha ndër të tjera Rasim Selmanaj./Telegrafi/

Të ngjashme