Rasim Selmanaj ka një njoftim për përkrahësit e tij: Nuk do të garojë më për deputet

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj ka thënë se kjo është hera e fundit që ai kandidon për ulëse të Kuvendit.


Përmes një postimi në Facebook, Selmanaj ka paralajmëruar se më nuk do të garojë për deputet dhe se varësisht nga rrethanat ai mund të vazhdojë të jetë aktiv në politik.

“Përkundër faktit që përkrahja për mua vazhdon, kjo është hera e fundit që kandidoj për deputet, sepse jam i mendimit se duhet krijuar mundësitë për kandidimin e kuadrove të reja.Pra, është hera e fundit që sfidohem, duke i hyrë garës për deputet”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Tutje ai ka treguar se është hera e tretë që e fiton mandatit për deputet dhe ka falënderuar të gjithë përkrahësit e tij.

Ky është postimi i plotë:

MIQ DHE BASHKËPUNËTORË TË MI, TË VJETËR E TË RINJ

Më lejoni që sinqerisht t’ju falënderoj nga zemra për besimin e dhënë edhe kësaj here!
Duke qenë aktiv në levizjet kombëtare që nga vitet 80-të e këndej, pas lirimit nga burgjet e Serbisë, në vitin 2001, kur Kosova ende nuk ishte rikëmbur nga lufta, kisha për obligim që sërish të kontribuoja, në mënyrë që të vihej në pah e vërteta dhe zëri juaj të dëgjohej kudo, me shqetësimet, hallet, plagët e pasherueshme.
Për këtë, fillimisht kam drejtuar dy gazeta, të cilat kanë pasqyruar të vërtetën tonë historike dhe politike!
Në vitin 2007 vendosa të jem aktiv në skenën politike duke kandiduar për deputet!
Ishte viti 2007 kur e mora besimin e qytetarëve duke u zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës!
Pas dy viteve e kam liruar ulësen në parlament dhe kam kandiduar në vitin 2009 për kryetar të Komunës së Deçanit, duke e fituar garën me 68%.
Në vitin 2013 sërish jam zgjedhur kryetar, duke fituar pa balotazh mandatin e dytë.

Në vitin 2017, sërish për herë të dytë u zgjodha deputet në Parlamentin e Kosovës.
Dhe tani, së fundmi, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kam kandiduar për herë të tretë për deputet duke e fituar po kështu për herë të tretë mandatin si deputet. Natyrisht, falë përkrahjes së qytetarëve, të cilët i falënderoj për besimin e tyre të vazhdueshëm në mua.
E vlerësoj mundësinë e krijuar dhe përkrahjen që të jem kandidat i AAK-së nga ana e lidershipit të partisë z. Ramush Haradinaj!
Qytetarëve u jam mirënjohës pafundësisht dhe trefish ndiej obligim dhe përgjegjësi ndaj tyre.
Që nga viti 2007 i kam fituar tri mandate si deputet dhe dy mandate radhazi si kryetar i komunës së Deçanit!

Përkundër faktit që përkrahja për mua vazhdon, kjo është hera e fundit që kandidoj për deputet, sepse jam i mendimit se duhet krijuar mundësitë për kandidimin e kuadrove të reja.
Pra, është hera e fundit që sfidohem, duke i hyrë garës për deputet.
Megjithatë, varësisht prej rrethanave dhe vlerësimeve nga lidershipi i partisë, unë edhe më tutje mund të vazhdoj të jem aktiv në politikë!
Edhe një herë, mirënjohje pa fund për mbështetjen Tuaj nëpër çdo sfidë!
Natyrisht, këto sfida, për vite të tëra, m’i bëri më të lehta familja ime, e ngushtë dhe gjerë, e cila ishte krahë meje, në ditë të vështira dhe të mira. Pa të, nuk do të arrija të kaloja shumë ‘rrathë’ nëpër dekada. Faleminderit për të gjitha!
I juaj,
Rasim Selmanaj

Image may contain: 1 person, standing and suit
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme