Rastet e abuzimit seksual, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë: Të papranueshme, duhet reagim i mbarë shoqërisë

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu ka reaguar pas rasteve të abuzimit seksual në Shqipëri, duke i cilësuar ngjarjet si të papranueshme.

Spahiu përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se rasti i abuzimit me 15 vjeçaren në Mirditë ishte tronditës.

Ndër të tjera ai ka theksuar se përgjegjësia për reagim ndaj rasteve të tilla nuk është vetëm i organeve kompetente por i të gjithë shoqërisë.

“Është i papranueshëm çdo rast abuzimi ndaj gruas, gjysmës më të mirë të shoqërisë njerëzore.

Rasti më i fundit i abuzimit me të miturën në Mirditë është tronditës.

Përveç reagimit të organeve kompetente, që duhet të jetë reagim i shpejtë dhe shembullor, i atillë duhet të jetë edhe reagimi i mbarë shoqërisë.

Raste të tilla duhen dënuar pa mëdyshjen më të vogël nga secili prej nesh, e kemi detyrim të reagojmë ndaj së keqes në çdo formë që ajo shfaqet”, shkruan Spahiu.

Të ngjashme