Rastet e kancerit në zorrë dhe pankreas shënojnë rritje të madhe – shenjat që duhet t’i dini

Prishtinë | 22 Tet 2019 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Një studim i ri global ka zbuluar se rastet e kancerit në zorrë dhe pankreas kanë shënuar rritje gjatë 30 viteve të fundit.

Ky studim i përmasave të mëdha ka zbuluar se pacientët me kancer në pankreas kanë qenë më të prirë t’i mbijetojnë sëmundjes në vitin 1990 sesa në vitin 2019 – transmeton Telegrafi.

Përveç rritjes së rasteve për 130%, ata kanë zbuluar se kanceri në pankreas është duke vrarë më shumë njerëz – ku shkalla e vdekshmërisë është rritur nga 196,000 në 448,000 përgjatë periudhës studimore 27-vjeçare.

Rastet e kancerit në zorrë janë rritur për 9.5% në të njëjtën periudhë kohore, por numri i njerëzve që vdesin nga kjo sëmundje është zvogëluar për 13.5%.

Ekspertët thonë se kjo mund të ketë të bëjë me detektimin e hershëm dhe rrjedhimisht kështu rriten shanset për t’i mbijetuar.

Faktorët e rrezikut

Ekspertët besojnë se rritja e rasteve me kancer në pankreas ndërlidhet me një rritje në rastet e mbipeshës dhe diabetit, por reflektohet edhe nga faktorët e rrezikut si indeksi i lartë i masës trupore (BMI-ja) dhe nivelet e larta të glukozës në gjak, të cilat janë dy shkaktarë kryesorë për kancer në pankreas.

Faktorët tjerë për këto sëmundje janë duhanpirja, diabeti, etj.

Studimi po ashtu ka treguar se faktorët e rrezikut për kancer në zorrë janë të ndryshëm te meshkujt dhe te femrat, ku përdorimi i alkoolit, pirja e duhanit, sasitë e ulëta të konsumimit të kalciumit, qumështit e fibrave shkaktojnë më shumë problem te meshkujt.

Sa u përket femrave, kryesisht rreziqet kanë të bëjnë me ushqim – jo me përdorim të alkoolit apo pirje të duhanit.

Njihni shenjat

Njoha e shenjave të hershme mund t’ju ndihmojë ta parandaloni vdekjen nga kanceri.

Kanceri në zorrë mund të shërohet nëse detektohet herët, prandaj edhe kontrollet e shpeshta janë të rëndësishme.

Shenjat paralajmëruese të kancerit në zorrë:

– Gjakderdhje në jashtëqitje apo gjakderdhje në pjesën e pasme
– Ndryshim i shprehive të shkuarjes në tualet
– Dhimbje apo gungë në abdomen
– Lodhje e tepërt
– Humbje e peshës
– Kapsllëk, etj.

Në anën tjetër, kur flitet për kancerin në pankreas, shenjat mund të jenë më të vështira për t’u vërejtur, e posaçërisht në fazat e hershme, duke e bërë më të vështirë për t’u diagnostikuar.

Thuajse gjysma e rasteve të reja janë te personat mbi 75 vjeç dhe sëmundja është e pazakonshme te personat nën moshën 40 vjeç.

Shenjat paralajmëruese të kancerit në pankreas:

– Dhimbje në shpinë apo lukth
– Humbje e papritur e peshës
– Probleme me sistem të tretjes
– Humbje të apetitit
– Diabet
– Zverdhje të lëkurës dhe të bardhëve të syve, etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme