Rasti Almiri, seancë publike më 23 dhjetor

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Gjykata e Apelit më 23 dhjetor do të shqyrtoj ankesat e palëve mbi vendimin e Gjykatës Themelore të Kumanovës në rastin e Almir Aliut.

Ndryshe, më 21 qershor, Gjykata Themelore e Kumanovës përsëri e ka dënuar me gjashtë vjet burg të akzurin Boban Iliq, i cili e ka shtypur e makinë vogëlushin Almir Aliu, edhe pse Gjykata e Apelit e riktheu lëndën për gjykim nga e para.

Mbrojtja paraprakisht kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta delegojë lëndën në Shkup, por Apeli e hodhi poshtë këtë propozim. Sipas arsyetimit të Apelit, një delegim të tillë nuk e mundëson Ligji mbi Procedurën Penale për arsye se pala mbrojtëse dhe pala akuzuar nuk kanë të drejtë të kërkojnë delegim. Arsyetimi i njëjtë është dhënë edhe në mendimin e Prokurorisë së Lartë, shkruan Portalb.mk.

Rasti Almir Aliu

Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushi nga Kumanova Almiri, u shkel me makinë nga Iliq, pasi që paraprakisht babai i vogëlushit dhe ai kishin pasur një zënkë banale në ambulancë.

Fillimisht, Iliq ndiqej për veprën “vrasje me paramendim“, megjithatë e njëjta më pas u rikualifikua nga Prokuroria duke e ndjekur për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal”.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra në opinion, duke organizuar protesta masive nga qytetarët të cilët e dënuan aktin e Prokurorisë, për shkak të rikualifikimit të lëndës.

Gjatë gjykimit, pati reagime në lidhje me atë se janë bërë lëshime gjatë procedurës, gjegjësisht janë marrë për dëshmi ekspertizat neuropsikiatrike të ekspertëve me licenca me afate të skaduara.

Pos kësaj, edhe pse në kamerat e sigurisë shihet qartë se vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ka qenë i përfshirë në rrahjen me Sedat Aliun, Sami Demirindhe Abdulla Aliun, ai nuk u përfshi në akuzë, gjegjësisht nuk u dënua.

Më 5 prill të vitit 2018, Boban Iliq, u dënua me gjashtë vjet burg, babai i Almirit, Sedat Aliu me gjashtë muaj, ndërkaq Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me nga nëntë muaj burg.

I njëjti vendim u rikonfirmua në rigjykimin e dytë.

Të ngjashme