Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka analizuar rastin e zbulimit të armëve ruse në Itali, duke e lidhur atë jo vetëm me aktivitetin e krimit të organizuar, por edhe me dimensionin e operacioneve hibride të orkestruara nga shërbimet e inteligjencës.
Ai ka theksuar se magazinat e mbushura me armë në Catania dhe në veri të Italisë nuk duhen parë thjesht si rezultat i trafikimit klasik, por si pjesë e një zinxhiri më të sofistikuar ku mafia shërben si mbulesë logjistike për interesat shtetërore.
“Rasti i zbulimit të armëve ruse në Itali shfaq një dimension shumë më të thellë sesa duket në pamje të parë. Në sipërfaqe, magazinat e mbushura me armë në Catania apo në veri të Italisë mund të interpretohen si rezultat i aktivitetit klasik të krimit të organizuar: trafik armësh, fitim financiar dhe kontroll territorial nga klanet mafioze. Por në thelb, ky është një mekanizëm i vjetër dhe i sofistikuar i shërbimeve inteligjente që përdorin strukturat kriminale si ‘mbulesë logjistike’,” ka thënë Shala.
Ai ka shtuar se krimi i organizuar ofron infrastrukturën e nevojshme për këto operacione, ndërsa shërbimet e inteligjencës furnizimin me armë.
“Krimi i organizuar ofron infrastrukturën e nevojshme: rrjetet e transportit, depot e sigurta, rrugët e kontrabandës dhe aftësinë për të fshehur ngarkesa të mëdha pa rënë në sy. Shërbimet e inteligjencës, nga ana tjetër, ofrojnë burimin e furnizimit — armët e prodhuara në fabrikat shtetërore ose të nxjerra nga depot ushtarake. Kur këto dy botë ndërthuren, krijohet një zinxhir i sofistikuar që i mundëson armëve të futen në territorin e një shteti evropian pa gjurmë direkte shtetërore,” ka deklaruar Shala.
Sipas tij, shpesh trazirat apo sulmet e armatosura që paraqiten si veprime të bandave lokale janë në fakt operacione të dirigjuara nga jashtë.
“Në momentin kur ndodhin trazira apo sulme të armatosura, skenari publik paraqitet si ‘veprim i bandave kriminale lokale’. Në realitet, shpesh kemi të bëjmë me një operacion të orkestruar nga jashtë, ku krimi i organizuar ka shërbyer vetëm si mjet tranzit dhe maskim. Ky është thelbi i ‘luftës hibride’: të krijosh destabilizim përmes kanaleve jo-shtetërore, por në funksion të interesave shtetërore,” ka theksuar eksperti i sigurisë.
Ai ka vënë theksin se çdo analizë serioze e sigurisë duhet të shohë përtej fasadës së mafies dhe të zbulojë interesat e fshehura që qëndrojnë pas këtyre operacioneve.
“Për këtë arsye, çdo analizë serioze e sigurisë duhet të shohë përtej fasadës së mafies dhe të pyesë: kush ka interes që armët të jenë aty, kush i financon këto rrjete dhe kush përfiton nga një trazirë e armatosur në zemër të Evropës? Vetëm kështu mund të kuptohet se krimi i organizuar nuk është vetëm fenomen kriminal, por shpesh një vegël e dorës së shërbimeve inteligjente që punojnë në prapaskenë,” ka përfunduar Shala.