Rasti i parë me Covid 19 nga Kamenica edhe në testin që iu bë dje ka dalë pozitiv

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Kamenicës ka shënuar tetë raste të reja me koronavirus duke çuar në 23 numrin e të infektuarve. Zëdhënësja e kësaj komune, Margarita Rashiti i tha Gazetës Express se rasti i parë pozitiv i regjistruar në fshatin Topanicë më 30 mars 2020 ka rezultuar përsëri pozitiv pas testimit që iu bë dje.

Dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, janë testuar gjithsej 173 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Nga këto mostra tetë kanë rezultuar pozitiv nga komuna e Kamenicës. Katër raste nga fshati Topanicë, dhe katër raste nga fshati Hodonoc.

Zëdhënësja e kësaj komune Margarita Rashiti tha se rasti i parë i shënuar në komunën e Kamenicës nga fshati Topanicë, është testuar dhe përsëri ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

“Ditën e djeshme i janë marrë mostrat edhe personit të parë të identifikuar në komunën tonë dhe i njëjti ka rezultuar përsëri pozitiv”, tha ajo.

Rashiti po ashtu tha se një i infektuar nga 23 rastet e konfirmuara në këtë komunë ka edhe probleme të tjera shëndetësore i cili është duke u furnizuar me oksigjen.

“Deri më tani në Komunën e Kamenicës kemi gjithsej 23 raste pozitive të konfirmuara. Gjendja shëndetësore e tyre është stabile përpos njërit nga ta i cili vuan nga sëmundjet kardiovaskulare dhe furnizohet me oksigjen”, tha ajo.

Ajo shtoi se deri më tani kanë identifikuar 255 kontakte me të prekurit dhe i kanë rekomanduar IKSHPK-së që të bëj sa më shumë teste ndaj personave që janë në vetizolim.

“Gjithashtu, kemi identifikuar 255 kontakte dhe 48 familjet janë vetizoluar dhe po monitorohen nga Policia. Sa i përket testimeve, ne vazhdimisht rekomandojmë Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës të bëj sa më shumë teste, sidomos ndaj atyre personave që janë në vetizolim e që kanë pasur kontakte me të infektuarit.”, shtoi Rashiti.

Ndërkaq sa i përket respektimit të masave të reja nga qytetarët e Kamenicës, zëdhënësja e kësaj komune u shpreh se ”nga raportet që i kemi nga Policia, qytetarët po respektojnë kufizimin e lëvizjes dhe distancën fizike gjatë orarit kur u lejohet të lëvizin”.

Klinika Infektive e QKUK-së ka njoftuar sot për vdekjen e 10-të nga koronavirusi në Kosovë.

Ajo është një paciente 71-vjeçare nga Peja e cila kishte edhe probleme të tjera shëndetësore.

Deri më tani në nivel vendi janë 423 të infektuar, 71 të shëruar dhe 10 të vdekur nga epidemia Covid-19.

Të ngjashme