Rasti Noizy, Prokuroria siguron ekspertizën që viktimat pësuan lëndime të lehta

Prishtinë | 19 Gus 2024 | 14:37 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë, që po e heton incidentin në të cilin është i përfshirë reperi Noizy, tashmë ka siguruar ekspertizë mjeko-ligjore që e konfirmon deklaratën e avokatit të tij, Besnik Berisha, lidhur me dëmtimet trupore të viktimave në këtë rast.

Ekspertiza të cilën e ka në duar prokuroria që po e heton këtë rast, provohet se dy personat e dëmtuar në incidentin që ka ndodhur, kanë dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Një gjë e tillë ishte bërë me dije fillimisht nga avokati Besnik Berisha, i cili para se Noizy të lirohej, ka deklaruar se reperi kundërligjshëm po pandehet për lëndim të rëndë trupor, pasi s’ka prova që e dëshmojnë një gjë të tillë, raporton sinjali.

Madje, Berisha kishte kërkuar publikisht nga Prokuroria Themelore në Pejë që ta demantojë deklaratën e tij, se i dëmtuari në këtë rast ka vetëm lëndime të lehta. Siç ishte shprehur avokati, lëndimi i lehtë trupor nuk e justifikonte urdhërarrestin që u lëshua ndaj tij e as masën e paraburgimit që iu caktua fillimisht nga autoritetet shqiptare.

Megjithatë, Gjykata e Durrësit, javën e kaluar, mori vendim për lirimin e reperit, duke e zëvendësuar masën e paraburgimit, me masën e garancisë pasurore, e njohur si dorëzani.

Të ngjashme