Rasti “Panda”, avokati Niniq kërkon shqyrtim të punës së Prokurorisë në Serbi

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi ligjor i familjeve të të vrarëve në kafenenë “Panda” në Kosovë, Ivan Niniq, ka kërkuar reagim urgjent nga Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit në Serbi dhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme të punës së Prokurorisë për Krim të Organizuar në këtë rast.

Në kërkesën, të cilën Radio Evropa e Lirë (REL) e ka parë, Niniq thekson se kjo Prokurori në Beograd, për më shumë se tri vjet, nuk u është përgjigjur propozimeve për marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve për rastin që deri më sot nuk është zbardhur.

Në mesin e tyre është edhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili më herët ka deklaruar se ka informacione për vrasjen e gjashtë të rinjve të nacionalitetit serb në vitin 1998, në një kafene në Pejë të Kosovës.

Nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Prokuroria e Lartë Publike nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me kërkesën e avokatit. Për këtë kërkesë nuk u përgjigj as kabineti i presidentit të Serbisë.

Nxënësit e shkollës së mesme Ivan Obradoviq, Zoran Stanojeviq, Svetisllav Ristiq, Dragan Trifoviq dhe Vukosav Gvozdenoviq, si dhe studentja Ivana Radoviq, u vranë më 14 dhjetor, kur dy persona të maskuar hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe filluan të shtinin.

Avokati Niniq në kërkesën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit thekson se në vitin 2023 kishte propozuar marrjen në pyetje të ish-drejtuesve të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Jovica Staniq dhe Franko Simatoviq, me qëllim verifikimin e të dhënave indirekte të dëshmitarit Çedomir Jovanoviq, të cilat lidhen me Simatoviqin dhe njohuritë e tij të mundshme për ngjarjen në “Panda”.

Po në të njëjtin vit, Niniq i propozoi Prokurorisë edhe marrjen në pyetje të Alleksandar Vuçiqit, i cili për herë të parë foli për rastin e vrasjes në “Panda” në vitin 2013, kur ishte zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Serbisë.

Në atë kohë, ai kishte thënë se nuk kishte prova se këtë krim e kishin kryer shqiptarët dhe se publiku në Serbi do të përballej me zbulime tronditëse.

Që atëherë, ai ka deklaruar disa herë se ekzistojnë disa të dhëna lidhur me rastin, por jo të gjitha provat.

Niniq në parashtresën e tij thekson se ka propozuar marrjen në pyetje të Vuçiqit “duke pasur parasysh funksionet e tij shtetërore, veçanërisht funksionin e shefit të Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, të cilin e ka ushtruar që nga viti 2013, gjë që i ka mundësuar qasje në informacione veçanërisht të ndjeshme nga sektori i sigurisë”.

Avokati, në emër të familjeve të viktimave, i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit që të nxjerrë një udhëzim të detyrueshëm për kryeprokurorin e Prokurorisë për Krim të Organizuar, me të cilin do të urdhëronte marrjen urgjente në pyetje të dëshmitarëve Vuçiq, Staniq dhe Simatoviq.

Niniq, më 27 korrik, i ka kërkuar gjithashtu Prokurorisë për Krim të Organizuar që të verifikojë pretendimet se Radomir Boban Baçoviq është ekzekutuesi i drejtpërdrejtë i masakrës.

Këto pretendime i ka paraqitur në një video-mesazh të publikuar më 18 korrik në rrjetin social Telegram, i arratisuri malazez nga drejtësia, Millosh Medenica.

Medenica, i cili në Mal të Zi është dënuar me 10 vjet burgim për krim të organizuar, deklaroi se “Boban Baçoviq që nga vitet ‘90 njihet si person që ka punuar për shërbimin e atëhershëm të sigurimit shtetëror” dhe se ky shërbim “në vitin 1998, kur konflikti në Kosovë u përshkallëzua, kishte planifikuar të inskenonte një sulm ndaj civilëve serbë, në mënyrë që të siguronte legjitimitet për një ndërhyrje ushtarake”.

Vrasja e gjashtë të rinjve të nacionalitetit serb ndodhi në një kohë kur tensionet ndëretnike në Kosovë ishin të larta.

Lufta ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tashmë kishte filluar.

Në ditën e vrasjeve në “Panda”, në një pritë të forcave serbe u vranë disa pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa ata po transportonin armë nga Shqipëria.

Vrasjet në “Panda” u konsideruan si një akt hakmarrjeje, gjë që çoi në arrestimin e shqiptarëve në Pejë.

Të gjithë ata u liruan 12 muaj më vonë nga gjykata në Beograd për shkak të mungesës së provave.

Vuçiqi në vitin 2013 la të kuptohej se krimin “ndoshta nuk e kanë kryer shqiptarët”.

Prokuroria e Serbisë e nisi hetimin për këtë rast në vitin 2016, por deri më tani nuk ka rezultate.

Të ngjashme