Ka filluar seanca e fundit në rastin ‘Stenta 1”, ku të akuzuar janë ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i MSh-së, Gani Shabani.
Në seancën e sotme të dy të akuzuarit janë duke paraqitur fjalën përfundimtare. Fillimisht fjalën përfundimtare e ka paraqitur prokurorja speciale, Florie Shamolli. Ajo ka thënë se ka prova që Agani e Shabani të dënohen.
“Çdo para mbi 1 mijë euro duhet të kalojë në procedurë të prokurimit”, ka thënë Shamolli, duke iu referuar marrëveshjes se spitalit të IMH-së dhe spitali EDA me MSH-në.
Sipas aktakuzës, mbi bazën e kësaj marrëveshje këto dy spitale e kanë dëmtuar buxhetin publik prej 4.5 milionë euro.
Avokati Adem Vokshi, që përfaqëson ish-ministrin Agani, në fjalën përfundimtare ka thënë që nuk është vërtetuar asnjë pretendim i prokurorisë. Vokshi e ka elaboruar gjatë mënyrën se si ishte ngritura aktakuza. Kjo pasi sipas tij Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca ligjore për ngritjen e aktakuzave në këtë rast.
Ai ka thënë se Agani nuk ka hapur tender për stentime për shkak që sipas tij, mjetet financiare janë të kategorisë se subvencioneve. Ai para gjykatës ka lexuar disa Udhëzime Administrative që sipas tij dëshmojnë se kategoria e subvencioneve dhe transferet nuk shpenzohen përmes prokurimit.
Aktakuza në këtë rast është ngritur në qershorin e vitit 2016. Përveç Aganit e Shabanit, të akuzuar në këtë rast janë edhe rreth 60 persona të tjerë përfshirë mjekë e punëtorë të spitalit privat IMH dhe spitalit EDA.
Për lehtësi të mbajtjes së gjykimit, rasti është ndarë në tri pjesë. Përderisa gjykimi në “Stenta 1” përfundon sot, gjykimi në “Stenta 2” dhe “Stenta 3” është në fillim të procesit gjyqësor.