Në mungesë së të akuzuarit Salih Statovci dhe mbrojtësit të tij avokatit Halit Shaljani, të premten ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin “Subvencionet 3”.
Në këtë rast të akuzuar janë Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Statovci dhe avokatit të tij Shaljani, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj tha se ky i fundit ishte njoftuar për seancën e sotme, por i njëjti mungesën nuk e ka arsyetuar.
“Nuk është prezent i akuzuari Salih Statovci e as mbrojtësi i tij avokati i tij Halit Shaljani i cili është njoftuar për seancën e sotme, i njëjti e ka konfirmuar se për seancën që do të mbahet, por mungesën nuk e ka arsyetuar”, tha gjykatësja Musliu-Selimaj.
Ajo tha se të njëjtit për seancën e radhës do të ftohen me ftesa të rregullta.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 6 shtator 2023.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Hasan Maxharraj, Luan Statovci dhe Veton Prekazi akuzohen për marrje ryshfeti ndërsa të pandehurit Sadush Kabashi dhe Halit Avdijaj po akuzohen për dhënie ryshfeti.
I pandehuri Arbër Avdijaj akuzohet për dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione, ndërsa të pandehurit Salih Statovci, Afrim Abazaj dhe Bejtush Gashi akuzohen për ndihmë në marrje ryshfeti, si dhe e pandehura Kumrije Maxharraj po akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale mashtrim me subvencione.
Ky artikull do të plotësohet me dosjen e plotë të prokurorisë lidhur me këtë rast.