Rasti “Toka 2”, dëshmitari thotë se kur i ka parë traktorët duke punuar në arë, e kuptoi për problemet pronësore

Prishtinë | 01 Kor 2024 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Toka 2”, është dëgjuar dëshmitari Prederag Llaziq, i cili deklaroi që kishte kuptuar se kishte probleme me pronësinë, në momentin kur i ka parë traktorët duke punuar në tokën e tij.

Fillimisht dëshmitari Llaziq, deklaroi se avokatja Fatime Berisha ishte e autorizuar nga familja e tij për t’i përfaqësuar ata në kadastër, gjykatë dhe institucionet tjera, por e njëjta është tërhequr nga përfaqësimi pasi që ka pasur kërcënime ndaj familjes së saj, nga disa njerëz, “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, pas tërheqjes nga përfaqësimi nga Fatime Berisha, familja e tij ka angazhuar Anton Nokaj, por edhe ai është tërhequr nga përfaqësimi për arsye të njëjta, kërcenim dhe kanosje.

Tutje, dëshmitari ka deklaruar se me të kuptuar se toka e tyre gjendet në procedurë gjyqësore, ata kanë dorëzuar në gjykatë komunale të asaj kohe parashtresë që të dëgjohen si palë.

“S’kam marrë ftesë por kam kërkuar direkt pasi që ishte seanca e fundit. Unë kam hyrë në seancë dhe kam kërkuar nga gjyqtarja dhe ajo ka pranuar që unë të dëgjohem si palë”, tha dëshmitari Llazqi

I njëjti tha që vendimin e gjykatës lidhur me këtë çështje, nuk e ka pranuar kurrë.

Ai deklaroi gjithashtu se familja e tij e kanë punuar atë tokë dhe në shtator të vitit 2012, ka ardhur një person me traktor dhe ka filluar të punojë atë tokë dhe të gjitha të mbjellat që i kanë pasur, i ka lëvruar. Për të ai tha që kanë angazhuar Policinë e Kosovës dhe EULEX-in,

“Problemi është shfaqur kur është paraqitur PIK (Kombinati Industrial i Kosovës). Ai ka qenë kryesor për këto prona sepse aty ka pas me qindra hektarë. Ne kemi vazhduar dhe rikthyer punimet në atë tokë, e kemi punuar deri në vitin 2012 deri në vjeshtë, ku edhe ka ndodhur lëvrimi i të gjitha të mbjellurave. Në atë kohë kemi kuptuar që dhoma e veçantë ka sjellur vendim përfundimtar që procesi gjyqësor ka përfunduar dhe që ky vendim është i plotfuqishëm dhe kjo tokë më nuk na takon neve. Kurse përfaqësuesi i agjencionit për prona, nuk e ka kundërshtuar këtë vendim dhe në atë moment ne kemi tentuar të gjejmë një zgjidhje dhe të themelojmë ndonjë marrëveshje me Dukagjinin”, tha dëshmitari Llaziq.

Lidhur me të akuzuarin Dukagjin Emërllahun, ai tha që atë e ka takuar në shtëpinë e tij.

“E vërtetë është se ai ka ardhur në shtëpinë time me Visar Vehapin, avokat i tij në atë kohë. Shiko këtu, palët që kanë arritur marrëveshje janë Dukagjin Emërllahu etj. Këtu shkruan se të gjitha palët e kësaj marrëveshje deklarojnë se kjo marrëveshje është rezulatat i vullnetit të mirë, pa ndonjë presion, kërcenim apo mashtrim dhe pa asnjë kundërshtim janë të pajtimit që ta nënshkruajnë, pasi që këtë nuk e kemi nënshkruar sepse nuk kemi pasur besim tek kjo, pas kësaj ata kanë gjet mënyra të tjera dhe e kanë kryer në dëm tonin dhe kush është këtu i përzier nuk e di”, tha Llaziq.

Ai gjithashtu deklaroi se sipas njohurive të tij nuk i kanë dhanë autorizim Fatime Berishes, as ai e as vëllau i tij, por halla e tij e ka angazhuar vetëm që të nxjerrë dokumente, por jo për t’i përfaqësuar në gjykatë dhe të gjitha këto marrëveshje i ka bërë me hallën e tij. Më pas sipas tij, Fatime Berisha kishte ardhur te Planinka (halla) në shtëpi dhe i kishte thënë se i ka tërhequr të gjitha, sepse ka është kanosur nga disa njerëz dhe duan që t’ia vrasin djalin.

Më pas mbrojtësja e të akuzuarës Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi deklaroi se halla e dëshmitarit, Planinka Llaziq ka qenë palë ndërhyrëse dhe ajo i ka tërhequr të gjitha kërkesat.

“Pasi ka përfundu lënda në Gjykatë Komunale te gjyqtarja Nexharije Hoti, pala Planinka Llaziq, na rezulton se ka marrë pjesë në procedurën në dhomën e posaçme dhe atje është deklaru se i tërheq të gjitha kërkesat të saj të paraqitura me shkrim. Ky konstatim është në faqen 10 të aktvendimit nr. ASC-11-0063, të datës 07.08.2012, ku palë paditëse figuron i akuzuari Dukagjin Emërllahu kurse të paditur janë koperativa bujqësore Ratar dhe AKP, e pala Planinka Llaziq është palë ndërhyrëse dhe në këtë procedurë ajo është deklaru që i tërheq të gjitha kërkesat”, tha avokatja Mjekiqi.

Dëshmitari Predrag Llaziq deklaroi se ky pretendim për të nuk është i njohur.

Në fund dëshmitari Llaziq deklaroi se e vetmja e vërtetë është që ngastra lëndore është pronësi e tyre mbi 150 vite dhe iu është marrë e më pas iu është kthyer legalisht dhe se nuk kanë pasur dijeninë që ka procedurë të zhvilluar për këtë tokë.

Për seancën e sotme ishte planifikuar të dëgjohet edhe një dëshmitar, mirëpo kjo seancë u ndërpre për arsye se anëtari i trupit gjykues, Valon Kurtaj kishte seancë tjetër në sesionin e pasdites.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.

Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi, akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija.

Për “Shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.

Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”.

Të ngjashme