Rasti “Ukë Rugova II”, Gjykata vendos të konsiderohen të lexuara deklaratat e 50 dëshmitarëve

Prishtinë | 16 Qer 2023 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Në gjykimin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”, gjykata ka vendosur që të konsiderohen të lexuara deklaratat e 50 dëshmitarëve, për të cilët gjykata edhe pse kishte ndërmarrë veprime, nuk ishte arritur që të sigurohet prezenca e tyre.  

Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.

Fillimisht, prokurorja Florije Shamolli propozoi që deklaratat e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara me arsyetimin e moszvarritjes së mëtutjeshme të kësaj lënde, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, lidhur me këtë propozim kundërshtime pati nga mbrojtja, ku mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Beqiri, avokati Eset Berisha, tha se një propozim i tillë cenon të drejtat e mbrojtjes për ekzaminim e dëshmisë së dëshmitareve në seancë gjyqësore.

Sidomos, duke marrë parasysh edhe faktin se mbrojtësit nuk kanë qenë prezent gjatë marrjes së deklaratave të tyre në procedurë paraprake”, tha avokati Berisha.

Këtë kundërshtim e kanë përkrahur në tërësi edhe të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve tjerë, ndërsa mbrojtësi i i të akuzuarit Visar Beqiri, avokati Afrim Salihu, tha se zgjidhja më e mirë për mbrojtjen do të ishte nëse Prokuroria e Shtetit do të tërhiqej nga dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë.

Kështu, trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurores Shamolli që deklaratat e dëshmitarëve: Ibrahim Syla, Hamdi Kadriu, Ermal Bajra, Valmir Braha, Betim Bajrami, Qëndrim Tolaj, Islam Bajrami, Rasim Aliu, Idriz Hoti, Minavere Terzijaj, Leonard Ferizaj, Abedin Bislimi, Suzana Maliqi-Haliti, Blerim Morina, Naser Berisha, Nexhat Berisha, Flamur Tetaj, Ali Halimi, Ardian Syla, Ramiz Tershani, Zize Kadrija, Gëzim Maliqi, Artim Gashi, Shpëtim Badalli, Zoje Kamberi, Osman Hashani, Abdyl Demalijaj, Isa Islami, Ramadan Behrami, Hyrjet Islami, Beslim Bekaj, Burim Isufi, Naser Maloku, Njomza Shabani, Metush Bunjaku, Arbër Mustafa, Mustafa Hysenaj, Besmir Islami, Dardan  Krasniqi, Fadil Pacolli, Pajazit Xhafa, Qëndrim Buja, Ramize Bajrami, Taibe Avdiu, Veton Pllana, Rilind Gashi, Albina Mehmetaj, Bujan Islami, Lindita Mehmeti dhe Naim Shabani, të konsiderohen të lexuara.

Ndërsa, pas marrjes së mendimit nga Prokuroria dhe mbrojtja, trupi gjykues refuzoi propozimin për dëgjimin e dëshmitarëve, Hadi Statovci, Labeat Kastrati, Burim Lopaj, Jeton Misini, Teuta Morina, Antigona Osmani, Valon Tetaj dhe Emin Zaiti, me arsyetimin se gjykata nuk ka adresë për këta dëshmitarë dhe po ashtu në shkresat e lëndës gjykata nuk posedon deklaratat e tyre të dhëna në polici.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Kujtim Krasniqi, lidhur me këtë çështje gjykata konsideron se deri tani mjaftueshëm është ndriçuar gjendja faktike në këtë aktakuzë.

Për këto vendime, mbrojtja pati vërejtje dhe sipas avokatit Berisha deri më tani asnjë dëshmitar në dëshmitë e tyre nuk e kanë inkriminuar të mbrojturin e tij dhe se shumica absolute e dëshmive të tyre nuk kishin të bënin fare me këtë çështje penale.

“Sa i përket dëshmitarëve të cilët nuk janë dëgjuar, e për të cilët gjykata mori vendim të pranohen dëshmitë e tyre të dhëna në procedurë paraprake, konsiderojmë se janë cenuar të drejtat e mbrojtjes për ekzaminim e dëshmive të tyre në seancë të shqyrtimit gjyqësor dhe se një shkelje e tillë i dëmton seriozisht të drejtat e mbrojtjes”, tha avokati Berisha.

Sipas tij, Gjykata dhe Prokuroria nuk i ka shtjerrë të gjitha mundësitë që i kanë në dispozicion për sigurimin e pranisë së dëshmitarëve, duke shtuar se edhe sipas Kodit të Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi rishtazi, lejohet edhe marrja e dëshmive nga distanca apo edhe përmes mjeteve tjera të komunikimit.

“Ne si mbrojtje nuk kemi kuptuar nëse këto përpjekje janë bërë nga gjykata. Dhe në fund mbrojtja kërkon që për secilin dëshmitar, të cilët kanë deponuar dëshmitë e tyre gjatë procedurës paraprake, të konstatohet nëse dëshmitë e tyre janë dhënë nën betim apo jo”, ka thënë Berisha.

Vërejtje po ashtu patën edhe avokati Salihu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Azad Beqiraj, avokati Nexhat Xharra dhe mbrojtësi i të akuzuarit Beg Shaqiri, avokati Osman Mehmeti.

Seanca pritej të vazhdonte me administrimin e provave materiale, por prokurorja Shamolli kërkoi kohë për paraqitjen e provave materiale pasi që sipas saj, në aktakuzë figurojnë shumë prova materiale të cilat janë të përbashkëta edhe me rastin tjetër të ashtuquajturin “Ukë Rugova 1” dhe se çështja është shumë voluminoze.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe ato të radhës u caktuan më 25 dhe 26 shtator 2023.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.

Rasti “Ukë Rugova I”, më 30 mars 2023 ka marrë epilog në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Ukë Rugova u lirua nga akuza për krim të organizuar me vizat italiane, ndërsa u dënua me 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Pra, Themelorja mori aktgjykim lirues lidhur me veprën penale krim i organizuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, ndërsa aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.

Të ngjashme