Rasti “Veteranët”, Haradinaj si dëshmitar thotë se ka qenë kundër kategorizimit të ushtarëve të UÇK-së

Prishtinë | 04 Mar 2020 | 12:41 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në ulëset e gjykatores, është ulur ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ku është marrë në pyetje nga avokati i deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliajt, Arianit Koci.

Ky i fundit, e ka pyetur ish-komandantin e luftës, lidhur me kërkesat e tij si komandant zone, lidhur me 100 mijë uniforma për zonën operative të Dukagjinit.

“A ju ka lajmëruar Demalijaj për komisionin. Ne librin e Fitnete Ramosaj ju si komandant zonë në qershor të viti 1998 keni bërë kërkesë për 100 mijë uniforma dhe një sasi të madhe të armatimit. A e keni kundërshtuar kategorizimin e ushtarëve të UÇK-së”.

“A kanë qenë këto uniforma vetëm për zonën operative të Dukagjinit apo krejt Kosovën. Si komandant a vlerësoni se ushtarët e shtabeve lokale janë veteranë luftëtar. A jeni i kënaqur me punën e Demalijaj në komision. A ka qenë babai i Demaliajt ushtar në zonën operative të Dukagjinit”, kanë qenë pyetje e Kocit drejtuar Haradinajt.

Ndërkaq, ish-Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka bërë kërkesën për 100 mijë uniformat për zonë operative të Dukagjinit.

Haradinaj tha se Demalijaj ka qenë në luftë ai dhe familja e tij gjithashtu, tha se Demaliaj ka edhe një vëlla dëshmor.

Haradinaj më tutje theksoi se ka kundërshtuar kategorizimin e ushtarëve të UÇK-së.

“Jo nuk i kam lidhje gjaku, Agim Cekun, Shkumbin Demalijaj dhe Rrustem Berishën. Nuk kemi pas bisedë për komisionin qeveritar. Po kam bërë kërkesë për uniforma. Po e kam kundërshtuar, në realitet nuk ekziston kategorizimi. Personi i caktuar cilido me dhënien e betimit ose me marrjen e armës në luftë për liri nuk dallon ma prej ndonjë kolegu të tij që e ka bërë të njëjtin akt”.

“Kanë qenë vetëm për zonën e Dukagjinit. Po janë veteran. Nuk di me vlerësua sepse nuk jam ekspert i komisionit dhe skam vërë ndonjë ekspertizë së punës në komisioni, por mund ta quaj si njeri i ndershëm. Po ka qenë dhe jo vetëm ai se ka edhe një vëlla dëshmor në luftë. Nuk kam nënshkruar aplikacioni por dokumente me lista të personave”, tha Haradinaj.

Prokurori special Valdet Gashi ka pyetur Haradinajn se çfarë dokumente ka nënshkruar.

“Gjithashtu ju thatë se nuk keni biseduar me Demalijajn për komisioni , por me komisionin a keni pasur ndonjë kontakt”, pyeti Gashi.

E Haradinaj u përgjigj se nuk ka nënshkruar aplikacioni por dokumente me lista të personave.

“Kjo shkresë bënë pjesë në shkresat e ushtarëve të propozuar nga njësitë vartëse ose shtabet vartëse të kohës së luftës. Si komandant zone sa herë që kam pas kërkesa të vartësve i kam pasuar me tutje te komisioni”, u shpreh Haradinaj.

Kryetarja e trupit gjykues ka kërkuar nga prokuroria se a ka prova lidhur me ankesat dhe shqyrtimet e ankesave dhe kush ka qenë anëtar i komisionit.

I akuzuari Shukri Buja ka pyetur Haradinajn se nga 7 komandantët e zonave, a është i vetmi i akuzuar.

“Ju u përgjigjet se nuk e keni përkrahur kategorizimin e veteranëve, a mund të na tregoni se kush e ka përkrahur”

Haradinaj tha se nuk e dinë por vlerësimi nga përvoja e tij në luftë rreth 1 vit e gjysmë e ka të pamundur të krijohet kategori në luftëtar.

“Kur është aprovuar ligji për kategorizimin e veteranëve kam qenë në Hagë. Nuk e shoh si mundet me pas një marrëveshje politike me statusin e veteranit. Unë kam mbrojt parimin se çdo luftëtar është i barabartë me tjetrin”, tha ai.

Dëshmitari Rifat Gashi me profesion polic hetues në departamentin e krimeve të rënda Prishtinë, tha se me të akuzuarit nuk ka lidhje gjaku.

“Me të akuzuarit nuk kam lidhje gjaku. Në bazë të urdhrit dhe në drejtim të veprës penale falsifikim të dokumenteve për këtë është lëshuar urdhër nga gjykata në vitit 2017. Urdhri është shtruar ndër zyrat e qeverisë së Kosovës dhe urdhri ka qenë i shtruar në emër të Sulejman Mustafës”.

“Këtë person e ka pru prokurori si të dyshimtë dhe ne e kemi parë që ka të falsifikuar të shkallës së invaliditetit dhe është dyshuar se ka falsifikuar dokumentet me fitimin e statusit së invalidit dhe është intervistuar dhe kemi parë që statusi i tij ka qenë i dyshimtë”, tha ai.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës  së UÇK-së.

Të ngjashme