Reagime për Projektligjin për Gjykatat, nuk u dërgua në Komisionin për Buxhet

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 12:30 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku në rend dite kanë qenë një varg projektligjesh.

Derisa anëtarët e komisionit kanë votuar të gjitha projektligjet që ishin të parapara për sot, aty pati edhe reagime, raporton Ekonomia Online.

Diskutimi u bë për Projektligjin për Gjykatat.

Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se komisioni për legjislacion e ka dërguar këtë projektligj në seancë, pa e dërguar në atë të buxhetit.

“Komisioni për legjislacion këto amandamete i ka bërë dhe nuk ka pritë vlerësimin tonë por nuk janë në buxhetin e vitit 2019. Projektligji përmban kosto shtesë. Komisioni për legjislacion e ka pa të arsyeshme që të bëjë ndryshim të tillë. Ata kanë kërkuar një projektligj të fushë së tyre që e kanë shqyrtuar si të nevojshëm. Puna jonë është të shikojmë sa është kostoja”, ka thënë Abdixhiku.

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani, ka thënë se nëse votohet tash, në seancë duhet ta trajtojnë për shkak se në miratim të buxhetit dhe në planifikim të tij do të duhet të ketë shkurtime më pas.

“Nëse kalon ligji, ne paratë detyrimisht duhet ti gjejmë, por ne paratë nuk i kemi të planifikuara për këtë vit. Kështu që ka me ardhë punë me bë shkurtime diku. Është mirë t’ua sqarojmë deputetëve që nuk ka qenë në draft ligj. Kish qenë mirë që ne me pas një planifikim për këtë. Projektligji pasi ka kaluar, për shqyrtim në seancë, kryetari i këtij komisioni u ka thënë deputetëve që të flasin në seancë”, ka thënë Osmani.

Abdixhiku, njoftoi se javën e ardhshme do të trajtohet buxheti i Republikës së Kosovës, ndërsa ka paraqitur edhe një kërkesë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“MPMS ka dërguar një kërkesë me urgjencë, që thotë se për ndërtimin afër 200 shtëpive, ministria kërkon garancë që këto mjete financiare të ndara në 2018, të barten edhe në 2019. Komisioni nuk mund të vendosë, por mund ta trajtojë brenda dy shqyrtimeve dhe pastaj e dërgojmë në seancë dhe aty vendoset”, ka thënë ai.

Anëtarja e këtij komisioni, Safete Hadërgjonaj, tha se kjo  nuk është punë e tyre që të diskutojnë për këtë çështje.

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka votuar Projektkodin Penal të Republikës së Kosovës dhe amendamentet e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Ky komision po ashtu ka votuar Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe amendamenteve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Anëtarët e komisionit kanë votuar edhe Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës dhe amendamenteve të komisionit për Administrate Publike, Qeverisjen Lokale dhe Media.

Poashtu është votuar Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës dhe amendamenteve të komisionit për Administrate Publike, Qeverisjen Lokale dhe Media.

Kurse, u votuan edhe dy propozimet e kryetarit të komisionit,  Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë dhe amendamentet e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, dhe Projektligji  për  Mbrojtjen e Sinjalizuesve dhe amendamentet e Komisionit për legjislacion.

 

 

Të ngjashme