Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Në aktvendimin e Apelit, thuhet se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.
Procesi në Gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga PDK.
Pasi Apeli pezulloi vendimin e ZRRE-se për shtrenjtimin e tarifave të rrymës, kanë reaguar krerët e opozitës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar që të kthehen mjetet tek qytetarët, të vendosen tarifat e reja si dhe të shkarkohet Bordi i ZRRE-së.
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se shpëtuan rreth 450 mijë familje nga shtrenjtimi i rrymës.
Ai madje thotë se si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që qytetarëve tu kthehen paratë e rrymës pa vonesë.