Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Vlorian Molliqaj i cili është edhe vëllai i deputetit Dardan Molliqajt, ka reaguar lidhur me dorëheqjen e Visar Ymerit nga posti i kryetarit të Vetëvendosjes.
Molliqaj fillimisht ka numëruar disa nga sukseset e VV-së gjatë kohës kur Ymeri ishte kryetar i saj. Mes tjerash ai ka përmendur ndalimin e dy marrëveshjeve që sipas tij janë të dëmshme për Kosovën “Zajednicën dhe Demarkacionin” si dhe dyfishimi i deputetëve të VV-së në kuvendin e Kosovës.
“Përgjatë mandatit të tij si kryetar i Lëvizjes, kjo e fundit arriti për herë të parë t’i ndaloj dy marrëveshje të dëmshme për Kosovën: Zajednicën dhe Demarkacionin. Nën udhëheqjen e Visarit, Lëvizja e dyfishoi numrin e deputetëve nga 16 në 32 sosh. Poashtu, nga një komunë, sot Lëvizja qeverisë me tri komuna, dy nga to më të mëdhatë në Kosovë”.
“Mos e lexoni gabim, nuk dua t’ia atribuoj këto rezultate vetëm Visarit. Pa punën e secilit aktivist, asnjë nga këto nuk do të ishin të mundura. Por, në anën tjetër, funksionimi kaq i mirë i organizatës patjetër se i atribuohet organeve të saj në krye me kryetarin Visar Ymeri”, ka shkruar Molliqaj.
Molliqaj ka shkruar se “është lehtë që ‘t’ua tregosh derën’ njerëzve që kanë mendim ndryshe”, duke shtuar se nuk do të duhej të funksiononte.
“Është shumë e lehtë që ”t’ua tregosh derën” njerëzve që kanë mendim ndryshe, por kjo metodë nuk përbashkon. Përkundrazi, është metodë përjashtuese e njohur tashmë në shumë organizata politike. Momenti kur njerëzit kryesor dhe themeltarët e Lëvizjes (përfshirë këtu kryetarin Ymeri) kanë problem me një qasje qoftë politike apo organizative, secili do të duhej që këtë ta trajtonte me urgjencën dhe seriozitetin më të madh”.
“Por, në vend të kësaj, ata zgjodhën metoda tjera. Zgjodhën që atyre që mendojnë ndryshe t’ua tregojnë derën, t’i linçojnë, t’iu ngjesin etiketa se ata janë të ndikuar nga ShIK-u, Ambasadat, etj. Brenda natës, njerëzit më të afërt u shndërruan në tradhtarë”, ka shkruar Molliqaj.