I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zyrtarëve të Nismës Social Demokrate për mundësinë e shkarkimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Këshilltari i Fatmir Limajt, Endrit Shala, e ka demantuar shkarkimin e ministrit të tyre. Ai për Express ka thënë se lajmi për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, është i pavërtetë.
“Ministri Bytyqi është një prej ministrave më të suksesshëm. Ai është duke bërë punë të jashtëzakonshme për të përmirësuar cilësinë në arsim. Prandaj, nuk bëhet fjalë për kurrfarë shkarkimi”, ka thënë ai.
Tutje, Shala ka theksuar se shkarkime dhe përgjegjësi penale duhet të presin ata të cilët që 10 vjet e kanë shkatërruar arsimin në Kosovë e jo ministri Bytyqi i cili e ka çkapur arsimin nga bandat.
“Ka kaluar koha kur nga kuzhinat e shpifjes dhe propagandës, dalin lajme të tilla nga banda të cilat e kanë kapur shtetin dhe ende synojnë ta drejtojnë atë”, ka theksuar ai.