Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë përmes një njoftimi kanë thënë se do të vazhdojnë t’i monitorojnë nga afër numërimin e votave që vijnë nga diaspora për zgjedhjet në Kosovë, duke shtuar se për shkak të afatit të shkurt për votat që vijnë jashtë vendit, ka rrezik që jo të gjitha fletëvotimet të arrijnë me kohë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Përmes një njoftimi në Facebook, Ambasada ka thënë se ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, procesi i votimit jashtë vendit nuk ka qenë i përsosur, megjithëse kësaj here ka numër rekord të aplikuesve.
“Mbi 100,000 aplikime për regjistrimet e reja të votuesve në diasporë u pranuan nga KQZ-ja. Këto janë numra rekord. Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, ky proces nuk ka qenë i përsosur. Misionet e mëparshme të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE kanë rekomanduar që ligji të ndryshojë në mënyrë që të lejojë më shumë kohë për proceset parazgjedhore. Kjo nuk ka ndodhur dhe afati për këto zgjedhje të parakohshme është edhe më i shkurtër se normalisht, duke bërë presion mbi KQZ-në dhe duke krijuar rreziqe që jo të gjitha fletët e votimit nga jashtë shtetit do të arrijnë në kohë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër procesin e votimit dhe numërimin e votave.
“Ky mision, së bashku me të tjerët, është duke u angazhuar me institucionet përkatëse dhe është i kënaqur që janë bërë aranzhimet e nevojshme që të gjitha fletëvotimet e diasporës që mbërrijnë në kohë të merren në mënyrë të sigurt dhe të numërohen pa ndërhyrje. Ne natyrisht do të vazhdojmë ta monitorojmë nga afër këtë”, thuhet tutje.