Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar pas vendimi të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin serb, Aleksandar Vulin për përdorimin e terminologjisë fyese dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Çitaku ka thënë se Gjykatat në Serbi e kanë vulosur racizmin ndaj shqiptarëve.
Sipas saj, kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm betejë e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Gjykatat në Serbi vulosën racizmin ndaj shqiptarëve. E papranueshme, por jo befasuese. Kjo nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm betejë e shqiptarëve të Luginës”, shkruan Çitaku.
Ndryshe, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin serb, Aleksandër Vulin për përdorimin e terminologjisë fyese dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka njoftuar se kjo Gjykatë, e ka cilësuar si të pabazuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, që sipas deputetit shqiptar i ka dhënë fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mos durimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre në Serbi në veçanti.
Kamberi ka mbajtur një fjalim në gjuhën shqipe përballë deputetëve të tjerë të Kuvendit të Serbisë.
Kamberi pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të kryeparlamentarit serb Ivica Daçiq, vazhdoi të ngris zërin shqip ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd që ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.