Pas shkarkimit të djeshëm të Komisionit Përzgjedhës për Drejtorin e ri të Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, ka reaguar ky i fundit, duke thënë se ka aplikuar në mënyrë të ndershme dhe se i ka plotësuar kushtet për pozitën në fjalë.
Leci thotë se pavarësisht që mbanë pozitën e anëtarit të Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas, ai i ka plotësuar të gjitha kriteret e konkursit.
Sipas tij, janë shqetësuese informatat që janë publikuar mbi arsyen e anulimit të konkursit, duke theksuar se në emër të luftimit të nepotizmit, po vritet mundësia për të qenë i barabartë për një vend pune.
Më poshtë mund të gjeni edhe reagimin e plotë:
“Të nderuar familjarë, miq dhe media,
Në 48 orët e fundit jam personi më i përfolur në media dhe në shoqërinë tonë, në lidhje me konkurimin tim për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Po e them me konkurimin tim, pasi për tërë procesin që është zhvilluar në lidhje me këtë, unë jam njoftuar vetëm nga mediat, si të gjithë qytetarët. Nga mediat kam kuptuar se jam zgjedhur drejtor dhe po ashtu përmes mediave kam kuptuar për shkarkimin e Këshillit Drejtues të Muzeut, për kinse “luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit dhe që ky proces është kthyer në zero”.
Unë Ajet Leci dhe familja ime, as sot dhe as në të kaluarën, nuk kemi të bëjmë as me korrupsion dhe as me nepotizëm, jemi munduar si pak familje në Kosovë ta ruajmë nderin dhe gjakun e familjërëve tanë dëshmorë, të cilët u flijuan për një Kosovë të lirë dhe për një Kosovë me të drejta të barabarta për të gjithë.
Deri më tani nuk kam folur kurrë për historinë e familjes sime. Stërgjyshi im, Lec Gradica i Parë, ishte pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, i cili u shpall Dëshmorë i Atdheut nga Republika e Shqipërisë, sepse pas pushtimit të Kosovës nga pushtuesi serb, së bashku më dy vëllezerit e tij ranë në luftime kundër forcave armike, si bashkëluftëtar të Hasan Prishtinës dhe Azem Bejtës. Milazimi, familjari ynë ra dëshmor si luftëtar i Mehmet Gradicës dhe Shaban Polluzhes, në luftime kundër forcave armike që u zhvilluan në Drenicë. Kurse në luftën e fundit, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëllau ynë, Doktor Lec Gradica, ra dëshmor për lirinë e atdheut.
Ne nuk jetojmë nga bizneset, sepse nuk kemi bërë biznese, nuk jemi marrë me korrupsion, sepse nuk jemi të korruptuar, nuk jemi marr me nepotizëm, sepse nepotizmi ëshët kundër idealeve dhe punës sonë.
Dua ta falënderoj Këshillin Drejtues për vlerësimin real që me kanë bërë. Por informatat që kanë dalur në media, për arsyejën e anulimit të konkursit, janë shqetësuese, sepse kinse në emër të luftimit të nepotizmit, po vritet mundësia për të qenë i barabartë për një vend pune.
Unë i kam plotësuar të gjitha kriteret dhe kam konkuruar. Kam të mbaruar Fakultetin e Historisë dhe kam mbaruar studimet posdiplomike në Histori po ashtu kam përvojën që është kërkuar në konkurs. Unë nuk e kam fshehur në asnjë moment aktivitetin tim politik, jam anëtar i kryesisë së PDK-së në Drenas dhe aktivist i kësaj partie që nga themelimi i saj. Por nuk pranoj në asnjë moment, që të fyhet emri im dhe i familjës sime me të paverteta, nga cilido person dhe çfarë do pozite që ka ai. Por më e rëndë është, kur kjo bëhet nga përsonat që i kam përkrahur unë dhe familja ime pa kushte dhe pa asnjë interes, duke mos përfituar kurrë asgjë.
I falënderoj të gjithë familjarët dhe miqtë që më kanë besuar dhe përkrahur më parë, por edhe në këto momente të padrejta ndaj meje.
U kërkoj falje gazetarëve që nuk kam mundur t’u përgjigjem në pyetjet e tyre, sepse nuk kam pasur asnjë njoftim zyrtar në lidhje me procesin që është zhvilluar për pozitën e drejtorit të Muzeut të Kosovës. Andaj nuk kam ditur as çfarë t’u them.
Dhe krejt në fund kam vetëm një pyetje për të gjithë, qytetarë dhe pushtetarë. A kam të drejtë të konkuroj në një pozitë për t’u punësuar në mënyrë të ndershme?”, ka shkruar Leci.