Reagon Këshilli Prokurorial: Informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta

Prishtinë | 04 Sht 2022 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit shprehin sërish shqetësimin e thellë lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara dhe deklarimin e pasaktë të raporteve zyrtare dhe të të dhënave statistikore në raport me sistemit prokurorial, i cili po bëhet vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale përgjatë vitit 2020, 2021 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, është parashkruar vetëm një (1) rast që ka pasur të bëjë me dhunën seksuale.

Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze për sistemin prokurorial.

KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme