Reagon Komiteti Olimpik i Kosovës: “Skandal”

Prishtinë | 23 Tet 2021 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Një situatë skandaloze është parë sot nga autoritetet serbe te cilat nuk kanë lejuar boksierët e Kombëtares së Kosovës të hyjnë në territorin e Serbisë.

Delegacioni i Kosovës ishte nisur për në Beograd, ku duhej të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amator, që fillon nesër.

Delegacionit të Kosovës i është kërkuar të lë në kufi uniformat me shenjat e Kosovës, si kusht për të hyrë në Serbi.

Një gjë e tillë nuk është pranuar nga drejtuesit e delegacionit kosovar, raporton Gazeta Express.

Tani ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, që e quan “SKANDAL” nga ana e autoriteteve të Serbisë.

Reagimi i KOKU-t:

SKANDAL: Boksierëve të Kosovës iu ndalohet hyrja në Serbi për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror!

Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh ka pritur lajmin se ekspedita e boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që prej 24 tetor deri më 6 nëntor 2021 mbahet në Beograd të Serbisë.

Ekspedita e boksit ishte nisur në orët e hershme të mëngjesit, për të kaluar përmes kufirit në Konçul, por përkundër pritjeve shumëorëshe, policia serbe nuk ka lejuar hyrjen e tyre, gjë që ka bërë që ekspedita e boksit të kthehet për në Prishtinë.

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe ekipi i boksit të Kosovës të niset sërish drejt Beogradit për të garuar i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse në botëror.

KOK, po ashtu ka kontaktuar me drejtuesit e AIBA-s (Federata Botërore e Boksit), nga të cilët ka marrë premtimin se do të marrin masa të menjëhershme për t’iu mundësuar boksierëve tanë hyrjen në Serbi dhe pjesëmarrjen me të drejta të barabarta, ashtu siç kanë premtuar pas kontakteve të vazhdueshme me Federatën e Boksit të Kosovës, me të cilët drejtuesit e KOK-ut janë po ashtu në kontakt të vazhdueshëm.

Ekspedita e boksit përbëhet nga tre boksierët, Patrit Behrami, Shpëtim e Bashkim Bajoku, përzgjedhësi Besim Brahimi dhe sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli.

Të ngjashme