Komuna e Obiliqit reagon ndaj tymit që është shkaktuar në mëngjesin e sotëm nga termocentrali TC “Kosova B”.
Nga kjo komunë thonë se situata e krijuar në KEK është bërë e pabërballueshme për qytetarët.
“Tymi nga të gjithë tymtarët si dhe zhurmat nga e gjithë teknologjia e po ashtu testimet e vazhdueshme, tanimë janë bërë të papërballueshme për të gjithë banorët e komunës së Obiliqit e me theks të veçantë banorët në fshatrat Dardhishtë, Hade, Lajthishtë e Palaj, të cilët ndihen të pasigurt dhe të dëmtuar nga pluhurat”, thonë nga Komuna e Obiliqit.
Ja reagimi i plotë i Komunës:
Situata e krijuar në Korporaten Energjetike të Kosovës (KEK), tymi nga të gjithë tymtarët si dhe zhurmat nga e gjithë teknologjia e po ashtu testimet e vazhdueshme, tanimë janë bërë të papërballueshme për të gjithë banorët e komunës së Obiliqit e me theks të veçantë banorët në fshatrat Dardhishtë, Hade, Lajthishtë e Palaj, të cilët ndihen të pa sigurtë dhe të dëmtuar nga pluhrat.
Për shkak të mos respektimit të Ligjit të Obiliqit, për krijim të brezit të sigurisë, tani është krijuar kjo gjendje ku Obiliqi, Plemetini e pothuajse i gjithë teritori i komunës nga zhurmat e krijuara në TC “Kosova B” e këto ditë janë shtuar edhe tymtarët me tymin dhe pluhurin e vazhdueshëm, jetën e kanë edhe më të vështirësuar, e kjo është cekur në vazhdimësi nga udhëheqja e komunës duke rikujtuar edhe operatorit obligimet që dalin nga Ligji për Obiliqin.
Reagimet e vazhdueshme të komunës ndaj KEK si dhe apeli te organet gjegjëse konkret te MMPH-ja, sikur kanë hasur në vesh të shurdhër dhe kanë harruar obligimet që kanë ndaj komunitetit ku operojnë, obligime këto të cekura me Ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
Prandaj edhe sot, komuna e Obiliqit kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës gjegjësit nga Ministria e Planifikimit dhe departamentet përkatëse të saj që merren me trajtimin e këtyre çështjeve kaq delikate.