Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Mitrovicë, ka reaguar pas publikimit të disa lajmeve në media se disa zyrtarë policor të kenë qenë të përfshirë në rastin ‘Vrasje e rëndë’, që ndodhi të shtunën në tregun e gjelbër në Mitrovicë.
Në reagimin e Policisë thuhet se ë rastin e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ të ndodhur sot në Mitrovicë, ku ishin të përfshirë katër persona civil, veprës penale nuk i ka parapri asnjë rrethanë qe ndërlidhet me ndonjë zyrtar policor.
“Nga hetimet e deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një zënke çasti ndërmjet të dyshuarit dhe viktimave të rastit”, thuhet në reagim.
Sipas Policisë, në mesin e dëshmitarëve është intervistuar edhe një zyrtar policor i cili në kohen e ngjarjes ishte jashtë detyrës zyrtare ndodhej afër personit e dyshuar.
Ndryshe, sipas Policisë të shtunën rreth orës 11:30, policia në Mitrovicë, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Adem Voca’ përkatësisht në Tregun e gjelbër’ në Mitrovicën e Jugut.
“Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë katër persona civil, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar, tre persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima V. F., 27 vjeçar, si pasojë e plagëve kishte vdekur, ndërsa dy të plagosurit tjerë vazhdojnë të jenë në tretman mjekësor.
Personi i dyshuar i cili dyshohet të ketë shtënë me armë është arrestuar, të njëjtit po ashtu i është ofruar tretmani mjekësor.
Nga hetimet e zhvilluara deri me tani, njeri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht. Ndërsa në vendin e ngjarjes pas ekzaminimeve të kryera, hetuesit policorë si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë (pistoletë), tri (3) gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Ndaj te dyshuarit Sh. A., 35 vjeçar, me vendim te prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale: vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, thuhet në njoftimin e Policisë lidhur me vrasjen e së shtunës.