Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimin e publikuar sot (me 15.07.2017) fillimisht në gazetën “Koha Ditore” që mban titullin “Policia ia jep tenderin 1.6 milionësh kompanisë që një herë e kishte mashtruar”, e më pastaj edhe në portalet tjera, reagon ndaj këtyre shkrimeve dhe sqaron me sa vijon:
Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore, duke përfshirë edhe në procedurat e prokurimit, si në rastin konkret të tenderit për furnizim me pajisje për qëllime të veçanta (PQV)- “Jelek Antiplumb”, me përpikëri të plotë zbaton të gjitha procedurat e parapara ligjore që ndërlidhen me fushën e prokurimit publik.
Edhe në rastin konkret të procedurës së prokurimit publik të apostrofuar në shkrimin e publikuar që Policia e Kosovës ka zhvilluar, e ku konsorciumi i përbërë nga tri kompani (“Allzone”, “Seyntex” dhe “Pricom”) ka konkurruar, i njëjti i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara në dosjen e tenderit publik, duke përfshirë të gjitha kriteret tjera ligjore që parashihen me ligjin e prokurimit publik dhe legjislacionin në fuqi.
Vlen të ceket se njëra nga kompanitë e konsorciumit që njëherit është edhe prodhues i antiplumbave, është kompani me renome ndërkombëtare nga e cila furnizohen me prodhimet e tyre edhe institucionet e sigurisë së vendeve më të zhvilluara të Evropës.
Bazuar në faktin se janë plotësuar të gjitha kriteret si dhe zbatimit të procedurave ligjore, nuk ka ekzistuar asnjë bazë ligjore për eliminimin e konsorciumit në fjalë nga procedura e prokurimit.
Pasi që oferta e këtij konsorciumi ka qenë ligjërisht e përgjegjshme dhe me çmimin dukshëm më të lirë se ofertuesit tjerë, i njëjti ka fituar kontratën dhe njoftimi për dhënie është bërë me datën 12.08.2016. Pas ankesave në OSHP, me datën 11.11.2016 OSHP e kthen në rivlerësim për sqarime shtesë (sipas nenit 72 të LPP) tenderin në fjalë. Pas rivlersimit me datën 31.03.2017 është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës konsorciumit të lartpermendur si fitues.
Edhe pas këtij publikimi për dhënie të kontratës, OSHP pranon ankesa dhe me datën 22.06.2017 OSHP me vendim vërteton vendimin e autoritetit kontraktues (Policia e Kosovës) për të vazhduear me nënshkrimin e kontratës.
Vlen të potencohet se gjatë këtyre procedurave të prokurimit konsorciumi në fjalë (secila kompani veç e veç) kanë sjellur të gjithë dokumentacionin që kërkohet me ligj, ndër to edhe vërtetimin nga Administrata Tatimore, vërtetimin nga Gjykata Themelore-Departamenti për Çështje Ekonomike, Çertifikatën nga Gjykata Themelore në Prishtinë që vërteton se nuk është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale, licencën për tregti me pajisjet për qëllime të veçanta (PQV) etj.
Lidhur me pretendimet nga shkrimi i publikuar se citojmë “gazeta ka kerkuar më shumë informata nga Policia e Kosovës lidhur me këtë tender, por ajo nuk është pergjigjur fare” një gjë e tillë nuk qendron sepse PK deri më tani nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga gazeta në fjalë lidhur me këtë qështje. Policia e Kosovës është institucion transparent dhe në çdo rast kur kushdo shfaq interesim mund të ketë qasje në dokumentacione, përfshirë dokumentacionin e procedurave të prokurimit, ashtu siç lejohet me legjislacionin në fuqi.
Andaj, bazuar në respektimin e të gjitha kritereve, udhëzimeve dhe procedurave të parapara ligjore, Policia e Kosovës e vlerëson të drejtë procesin e tenderit në fjalë.
Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, se proceset janë realizuar në harmoni të plotë me procedurat ligjore.