Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar pas protestave që janë mbajtur para zyrës së avokatit Tomë Gashi, ku ky i fundit kishte bërë sjellje abuzive me një lypsar.
PSD-ja thotë se janë kundër dhunës ndaj nëpërkëmburve.
“Para disa ditësh kemi qenë dëshmitarë të një sulmi të paparë më herët. Ishte avokati Tomë Gashi, njeri i njohur, i veshur me pushtet material e simbolik që goditi një lypsar në qendër të Prishtinës. Lypsarët e qytetet janë të harruarit e të pavërejtshmit e përditshmërisë sonë. Të shfrytëzuar, të përjashtuar, tash edhe të shqelmuar”, thuhet në komunikatë.
“Sa herë ecim pranë tyre nuk e kthejmë dot kokën për t’i shikuar. Secili lypës në rrugë trazon fetishet e normalitetet, paqen që secili prej nesh e kemi bërë në raport me shoqërinë ku jetojmë. Mospranimin e një të vërtete që secili prej nesh e di, por pranimi i saj e ka një çmim të madh: megjithatë, ne jemi pjesë e një shoqërie të tillë! Në Kosovë nuk është e mjaftueshme kritika ndaj pushtetit shtetëror. Kemi nevojë për kritikë shoqërore, denoncim e rezistencë ndaj formave të ndryshme të shtypjes e dominimit”, thuhet më tej.
Sipas PSD-së, “rasti në fjalë nuk duhet kaluar pa denoncim sepse i kemi përballë dy figura që janë ilustrim i realitetit shoqëror. Tomë Gashi, një avokat sekser që ia ha mendja se pushteti e privilegjet e tij vijnë nga dijet e tij erudite mbi drejtësinë. Në anën tjetër, një lypës që i del në rrugë mu në qendër të kryeqytetit e ia prishë idilikën. Për Tomën e arrirë, situatë e lypësit nuk ka asnjë lidhje me gjërat që ky i ka mësuar mbi drejtësinë”.