Betim Reçica, i cili deri më sot ka mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë për Ekonomia Online, se ende nuk e ka pranuar vendimin dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e qeverisë.
Reçica ka thënë se shkarkimi i tij ka ndodhur përshkak se në vend të tij do të vijnë njerëz të afërt me pushtetin. Këtë vendim të Kurtit ai e quan vendim politik dhe e krahason Qeverinë me atë të Koresë së Veriut.
“Po është një vendim politik dhe nuk besoj se ka bazë ligjore ai vendim. Unë ende nuk e kam pranuar atë vendim dhe do ta shqyrtoj në hollësi. Ekziston ligji që i mbron zyrtarët civil që do t’i ndjek rrugët ligjore. Nuk besoj se duhet Kosova të bëhet si në Kore të Veriut me aso vendime. Nuk dua të lëshohem në deklarata tjera por do të pres”, ka thënë ai.
Ai të mërkurën, me vendim të Qeverisë, ka kaluar në listën tepricë, listë e krijuar pas fuzionimit të ministrive.
Në pozitën e tij, të mërkurën, Qeveria ka caktuar Izedin Bytyqin, i cili më herët ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.