Cristiano Ronaldo ka reaguar pasi Ali Daei e uroi për barazimin e rekordit të tij për më së shumti gola ndërkombëtarë, 109. Legjenda e Iranit tha “ndihem i nderuar që kjo arritje e shkëlqyer do t’i takojë Ronaldos”.
Sulmuesi i Juventusit shënoi dy gola nga pika e bardhë në barazimin e Portugalisë 2:2 me Francën të mërkurën, duke e dërguar kombëtaren e vet në mesin e 16 më të mirëve në “Euro 2020”, transmeton Gazeta Express.
Me këto dy gola, ai e arriti shifrën e 109 golave në fanellën e Portugalisë, duke e barazuar rekordin e vendosur nga Daei për Iranin.
Ronaldos iu deshën 178 paraqitje për Portugalisë për t’i shënuar 109 gola, ndërsa Daeit iu kishin dashur vetëm 145 paraqitje për Iranin për ta arritur atë numër golash.
36-vjeçari debutoi për Portugalinë në gusht të vitit 2003, në moshën 18-vjeçare.
“Kampionët e vërtetë mbesin kampion përgjithmonë. Jam shumë krenar që lexoj fjalë kaq të mira nga një idhull i madh si ju. Faleminderit Ali Daei”, shkroi CR7 në instastory.