Mauro Icardi është emri i parë në listën e Florentino Perezit për të përforcuar sulmin e Realit të Madridit, por së fundi ka dalë në skenë një tjetër futbollist që ka “ngacmuar” fantazinë e presidentit madrilen.
Bëhet fjalë për sulmuesin polak të Genoas, Piatek, i cili ka mahnitur në gjysmën e parë të sezonit në kampionatin italian, duke shënuar plot 13 gola, vetëm një më pak se Cristiano Ronaldo i Juventusit.
Kuqeblutë nga Gjenova po kryejnë fazën përgatitore në Spanjë dhe sipas mediave italiane, përfaqësues të Realit kanë shkuar për të ndjekur nga afër polakun dhe për të marrë informacione paraprake për vlerën e kartonit të tij.
Presidenti i Genoas, Enrico Preziosi ka bërë të qartë se nuk do të privohet nga futbollisti i tij pa një shumë prej të paktën 50 milionë eurosh, por emri i Realit mund të bëjë që edhe vetë Piatek të kërkojë me ngulm transferimin, duke lehtësuar negociatat.