Vepra e qëndisur me penj të zi mbi pëlhurë, u dallua në ekspozitën që reflektoi mbi çështjet e drejtësisë sociale e kulturën amerikane, në qytezën Montclair të New Jersey.
Inspirimi prej sfondit familjar – artistja që ka realizuar veprën është shqiptare – gërshetuar me paralajmërimet për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, e kanë finalizuar veprën “Muri i paqes apo flamuri i kufirit”. Juna Skenderi, e cila jeton në ShBA qysh prej vitit 1996, së fundi u bë pjesë e ekspozitës “ViewPoints” (Pikëpamje).
Por në një bisedë për “Kohën Ditore”, ajo rrëfen prapaskenat e veprës që thumbon murin e shumëpërfolur dhe ndan rrugëtimin plot sfida deri në ndërtimin e profilit artistik.
E shkolluar për filmbërje, autodidakte në artet vizuale, Skenderi, me prejardhje nga Tirana, rrëfen se si e ka shkrirë traditën e qëndisjes në një “luftë” për ta ngritur zërin kundër padrejtësive.