Para 3 muajsh ka filluar skriningu për kancerin e qafës së mitrës, përmes të cilit pacientet potencialisht të shëndosha kontrollohen si masë parandaluese ndaj sëmundjes eventuale. Deri sot janë ekzaminuar 1500 gra në Komunën e Prishtinës.
Nga ky numër, 10.4% e grave kanë rezultuar me ndryshime të natyrave të llojllojshme. Nga kjo shifër, disa nga gratë e ekzaminuara janë zbuluar se kanë kancer në fazën e parë, dhe me intervenimet më të thjeshta me kosto shumë më të vogël, ato do të shërohen. Ky skrining do të vazhdojë dhe do të bëhen edhe skriningje tjera në mënyrë që parandalimi dhe vetëdijesimi të mbeten synimet kryesore të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Komunën e Prishtinës.
Falënderojmë sinqerisht dr. Zarife Miftari nga zyra e UNFPA-së, dr. Sami Ukën nga zyra e OBSH-së, prof. dr. Syzana Manxhuka dhe dr.Labinot Shahini nga Bordi për Kontroll të kancerit, dr. Merita Vuthaj nga Ministria e Shëndetësisë, dr. Ramadan Sopa nga SHSKUK-ja.
Në veçanti falënderojmë menaxhmentin e QKMF-së, bashkë me dr. Erzen Begollin, dr. Vjollca Zeqiri, dr. Sabahate Lleshi, dr. Florina Ushaku-Grezda dhe gjithë ekipin pjesëmarrës në këtë skrining, për punën dhe profesionalizmin e tyre.
Ky projekt në mes të tjerash ka treguar se bashkëpunimi korrekt ndërinstitucional, çdo herë shoqërohet me rezultate konkrete dhe rritje të cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe parandalimin efikas të shumë problemeve me të cilat përballet Shëndetësia.