Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në një intervistë për Emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për sigurinë në punë, kushtet e punës, ligjin e lehonisë si dhe për reformën pensionale.
Sipas Reçicës, ka përmirësime në sigurinë e vendeve të punës, por nuk është në nivele të kënaqshme.
“Realisht viti i kaluar na ka përcjell me aksidente në vendin e punës, përkundër të angazhimeve dhe përkushtimit që kemi ndërmarr, por edhe këtë pjesë të parë të vitit 2019 ka aksidente. Veprimet e para që ne kemi ndërmarr ka qenë plotësimi i kornizës ligjore për sa i përket respektimit të kushteve në vendin e punës. Shpeshherë kemi thënë se do të jemi pakompromis në zbatimin e të gjitha kritereve për sigurinë dhe shëndetin e punës, kemi angazhuar inspektoratin me përkushtim të janë në terren sa më shumë. Gjatë vitit 2018 kemi trefishuar inspektimet, por siç duket të gjitha këto inspektime nuk e kanë dhënë rezultatin sa i përket sigurisë në vendin e punës edhe pse ka lëvizje pozitive në këtë drejtim”, tha Reçica.
Ai ka treguar se kampanjat e ndërmarra nga kjo ministri kanë dhënë rezultate, sipas tij, duhet të ndërtohet një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet punëdhënësit, punëmarrësit dhe institucioneve në mënyrë që të respektohen të drejtat në punë.
“Në pranverën e vitit të kaluar kemi filluar fushatat vetëdijësuese me qëllim që krahas ndryshimeve, plotësimeve ligjore, krahas shtimit të aktivitetit të inspektoariatit me qëllim që ta rrisim vetëdijen. Kanë dhënë rezultat kampanjat, jo ndoshta ku ne kemi pritur, por ka lëvizje në drejtim për sa i përket respektimit të kushteve të sigurisë në vendin e punës. Nuk do të ndalemi me kaq, do të dalim në secilën vendpunishte që konsiderohet që ka rrezikshmëri për punëtorët në vendet e punës. Pa u ndërtuar një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet punëdhënësit, punëmarrësit dhe ne si institucione, nuk do ta kemi shkallën e respektimit të drejtave të punës qoftë të sigurisë në punë”, ka thënë ai.
“Në raportin vjetor që kemi, janë 300-400 gjoba të ndryshme për vitin 2018. Nuk është qëllimi te gjobat, por inspektori kur të gjen parregullsi nuk i shqiptohet gjoba kompanisë, por i jepet një afat që të përmirësohet. Vetëm në rastin e dytë kur bëhet kontrollimi, atëherë shqiptohen gjobat. Qëllimi është të mos gjobitet askush, por të respektohen normat ligjore që kanë të bëjnë si me respektimin e të drejtave të punëtorëve si dhe respektimi i kushteve të sigurisë në vendet e punës”, ka shtuar ministri Reçica.
Në këtë intervistë për Emisionin “EKONOMI”, ai ka folur edhe për skemat sociale, pushimin e lehonisë si dhe pagën minimale.