Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë mbledhur edhe sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica nga foltorja e Kuvendit ka thënë se askush nuk ka të drejtë të ndalë konstituimin e Kuvendit.
Ai, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti që të shrpehet në në institucione.
“Zotri Kurti shprehu në institucione. Historia ta ka dhënë një mundësi që të dalësh sikurse shumë të tjerë në mal dhe të luftosh për këtë vend. Historia e ka thënë presidenti nuk mund të rishkruhet, as historia personale e as ajo e Albin Kurtit nuk mund të rishkruhet. Kthehu brenda sistemit kushtetues, kthehu brenda rregullave të Republikës eja në Kuvend. Kush ka të drejtë ta ndalë konstituimin dhe përfundimin e tij. Kush ka të drejtë t’ua marrë deputetëve mandatin. Kush ka të drejtë të vendosë se kur Republika funksionon dhe kur pret. Asnjë deputetet dhe asnjë parti. Ky shtet nuk është pronë private e askujt, Kushtetuta nuk është pronë private, Kuvendi nuk është pronë private, Republika nuk është pronë private”, ka thënë ai.
Reçica ka kritikuar administratën e Kuvendit për mungesë të zërimit, duke shtuar se askush s’ka të drejtë ta ndalë zërimin në sallën e Kuvendit pavarësisht se sa deputetë janë.
“Është shumë më e lehtë ta dëmtosh një institucion se sa ta ndërtosh. Një shtet nuk rrënohet domosdo brenda një nate, ai rrënohet dalëngadalë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se për gjashtë vjet, Kosova ka kaluar kriza, tension institucional, përplasje me aleatët e polarizimit të shoqërisë.
“Mentaliteti i vandalit politik nuk mund të bëhet model qeverisje, vendi nuk mund të mbahet gjithmonë në krizë. Demokracia testohet kur institucioni të kufizon, demokracia testohet edhe kur duhet të pranosh që shteti është më i madh se ti. Për 6 vjet sidomos këto dy vjet Kosova ka kaluar kriza, tension institucional, përplasje me aleat, ndërhyrje të dëmshme te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kemi parë një polarizim të thellë të shoqërisë”, ka thënë ai.
