Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, zhvilloi një takim me Baroneshën Britanike, znj. Arminka Helić, njëherësh anëtare e Dhomës së Lordëve në Britani të Madhe. Temë diskutimi në mes të ministrit Reçica dhe Baroneshën Helić ishin zhvillimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës sa i përket viktimave të dhunës seksuale në konfliktin e fundit në Kosovë.
Ministri Reçica e njoftoi Baroneshën Helić në detaje për gjithë procesin e trajtimit të kësaj kategorie, deri në fillimin e njohjes dhe verifikimit të statusit të kësaj kategorie që zyrtarisht ka nisur më 5 shkurt të këtij viti. Ministri e njoftoi gjithashtu rreth numrit të aplikacioneve të pranuara dhe atyre të trajtuara për këtë kategori.
Reçica theksoi se përtej kësaj, viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë do të vazhdojnë të gëzojnë trajtim meritor duke u ofruar atyre qasje të lehtë në të gjitha shërbimet, sigurim e shërbime shëndetësore të mirëfillta, përparësi në punësim dhe aftësim profesional, arsimim kualitativ, rehabilitim, etj.
Ndërkaq, Baronesha Helić e përgëzoi ministrin Reçica për përkushtimin e tij për të trajtuar dinjitetshëm viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë. Ajo tha se Kosova ka bërë hapa para në këtë drejtim duke u shndërruar në lider në rajon sa i përket trajtimit të duhur të kësaj kategorie dhe ofroi mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe për të bashkëpunuar.