Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka bërë të ditur se strategjia sektoriale e MPMS-së do të garantojë respektimin e të drejtave të punëtorëve, raporton EkonomiaOnline.
Reçica këto komente i bëri në Kuvend pas pyetjes së deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, lidhur me hapat konkretë që parasheh strategjia për respektimin e të drejtave të punëtorëve.
Kreu i MPMS-së, tha se me strategjinë sektoriale janë paraparë një sërë masash që do të siguron respektimin e të drejtave të punëtorëve, të kushteve të punës, krijimin e sigurisë si dhe mbrojtjen e shëndetit në punë.
“Në strategjinë sektoriale të MPMS janë parapara një sërë masa për të ngritur dhe garantuar respektimin e të drejtave të punëtorëve, respektimin e kushteve të punës, krijimit të sigurisë dhe mbrojtjen e shëndetit ne punë. Ne si ministri e punës kemi nxjerr disa rregullore vitin e kaluar për sigurinë dhe shëndetin në punë të cilat janë transferuar disa direktivave të Bashkimit Evropian dhe këto rregullore ndihmojnë në zbatimin e ligjit për siguri dhe shëndet në punë”, tha ai.
Reçica ka përmendur lansimin e fushatës vetëdijësuese për sigurinë dhe shëndetin në punë. Ai tha se këtë vit kanë filluar me herët me këtë fushatë.
Ministri më tutje ka siguruar se në moszbatimin e legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk do të ketë kompromis.
“Duke qenë të vetëdijshëm që siguria dhe shëndeti në punë janë çështje jetike për punënonjësit por edhe për vetë punëmarrësit muajin e kaluar kemi lansuar fushatën për sigurinë dhe shëndetin në punë. Kemi filluar fushatën vetëdijësuese këtë vit më herët se rëndom dhe kemi filluar nga sektori me rrezikshmëri të lartë siç është ai i ndërtimtarisë dhe po vazhdojmë edhe në sektorë të tjerë”, shtoi Reçica, raporton EO.
“ Në këtë fushatë ne ju kemi përkujtuar punëdhënëseve por edhe punëmarrëseve me vendosmërinë tonë për zbatimin e legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, ne jemi zotuar që ky legjislacion duhet të respektohet nga të gjithë sepse nuk do të ketë kompromis për te gjithë ata që nuk e zbatojnë”.