Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, takoi sot disa qytetarë të riatdhesuar, të cilët janë përfitues të Programit të Vetëpunësimit, program ky i përbashkët i MPMS-së dhe UDNP-së dhe me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Brendshme që po mbështetë personat e riatdhesuar nëpërmjet kyçjes së tyre në masat aktive të tregut të punës, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate nga MPMS-ja, përfituesve të riatdhesuar të cilët kanë hapur bizneset e tyre, iu ndanë sot disa pajisje të ndryshme, me qëllim të ofrimit të mbështetjes për punën në bizneset e tyre. Me këtë rast, ministri ndau edhe nga një certifikatë për të riatdhesuarit me ç’rast uroi përfituesit dhe u dëshiroi suksese në bizneset e tyre. E pranishme ishte edhe zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo.
Ministri Reçica tha se MPMS, me anë të këtij programi po synon në kontribuojë në integrimin e personave të riatdhesuar në tregun e punës dhe t’u krijojë atyre lehtësira në të bërit biznes.
“Ne vazhdimisht, bashkë edhe me UNDP-në po mbështesim kategori të ndryshme nëpërmjet programeve që po i zhvillojmë. Është tejet e rëndësishme që kategoria e personave të riatdhesuar të kyçen në tregun e punës dhe t’u ofrohen mundësi dhe lehtësira nëpërmjet formave të ndryshme të mbështetjes, siç është kjo që po japim sot, që sado pak ua lehtëson punën në të bërit biznes”, tha ministri Reçica.
Në kuadër të Programit të Vetëpunësimit, nga janari deri në tetor të këtij viti kanë përfituar 190 persona të riatdhesuar dhe 20 punëkërkues të rregullt. Ndërkaq, po në të njëjtën periudhë, MPMS bashkë me UNDP-në ka ndërmjetësuar në masa aktive të tregut të punës 693 punëkërkues, prej tyre 333 të rregullt dhe 360 punëkërkues të riatdhesuar.