Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, së bashku me Inspektoratin e Punës, kanë vizituar qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, ku kanë parë nga afër kushtet e punës dhe zbatimin e Ligjit të Punës, raporton Ekonomia Online.
Ministri Reçica ftoi të gjithë punëtorët që të raportojnë për çdo shkelje që u bëhet.
Ai ka thënë se do të jenë të pakompromis ndaj atyre që nuk respektojnë Ligjin dhe të drejtat e punëtorëve.
“Sot bashkërisht me Inspektoratin e Punës, jemi në vizitë në Viva Fresh në një kompani që ka 3000 punonjës. Kemi dalë sot, bashkërisht me Inspektoratin e Punës, të informohemi nga afër në lidhje me zbatimin e Ligjit të Punës, në lidhje me zbatimin e ligjit që ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin e tyre në punë. Krejt këto ngërthejnë të drejtat e punëtorëve, sigurinë dhe shëndetin në punë, orarin e punës. Unë mendoj që kjo kjo vizitë e jona edhe me drejtues të kompanisë ‘Viva Fresh’ ka një mesazh të qartë që të përcjellët tek punonjësit dhe tek punëdhënësit që Inspektorati i Punës është duke punuar në drejtim të monitorimit të zbatimit të ligjit të punës dhe ligjit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Kjo vizitë sot duhet të merret si mesazh nga punëdhënësit që normat ligjore të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve duhet të zbatohen. I bëj ftesë të gjithë punonjësve që të raportojnë shkeljen në inspektoratin e Punës”, tha ministri Reçica.
“Do të jemi të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që nuk i respektojnë normat ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve, me sigurinë dhe shëndetin në punë. Po ashtu, ky mesazh i yni sot shkon edhe për Inspektoratin e Punës, që natyrisht do të mbikëqyrim punën e tyre rreth zbatimit të ligjit që ata i mandaton dhe iu jep mandatin për të bërë monitorimin e zbatimit të ligjit që ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin në punë. Natyrisht që edhe ndaj inspektoratit nëse evidentohen shkelje që nuk janë në krye të detyrës natyrisht që do të jemi të pa kompromis ndaj gjithë atyre që do të cenojnë të drejtat e punëtorëve”, u shpreh ai.
Besnik Sylejmani nga “Viva Fresh Store”, tha se kanë filluar me një metodë të re të punës me pesë ditë punë dhe dy të lira.
“Është moment i qëlluar i kësaj vizite të ministrit. E kam një lutje para inspektoratit, i kemi mekanizmat e brendshëm për raportim”.
“Jam i sigurt se duke pas 3000 punëtorë kemi lloj-lloj punëtori dhe menaxheri. Kemi filluar me pilot projekte për të zbatuar 5 ditsh dhe ka filluar me rezultate”, tha Sylejmani.
Pas kësaj vizite, ministri Reçica do të takohet me drejtorin e “Viva Fresh Store” në Lipjan.