Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se Kosova është afër që të arrijë marrëveshje me disa shtete të Bashkimit Evropian për punësim sezonal.
Sipas tij, ka disa arsye pse po shkaktohen ngecje në këtë proces. Kryesorja mbetet frika e shteteve të BE-së, se qytetarët kosovarë nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet për punësim sezonal dhe do të tentojnë të mbesin në vendet e BE-së për të mos u kthyer në Kosovë.
“Deri tash nuk ka zyrtarisht marrëveshje me asnjë shtet për punësim sezonal. Jemi në negociata me disa shtete të BE-së. Shumë shtete të BE-së kanë krijuar lehtësira dhe mundësi për qytetarët tanë, që nëse kanë mundësi të bëjnë marrëveshje pune, të pajisen më lehtë me viza. Nuk është e lehtë të bëhet marrëveshja për punësim sezonal. Një nga ato arsye është droja e moskthimit të qytetarëve, moszbatimit të marrëveshjes. Jemi në rrugë të mbarë për të zyrtarizuar diçka të tillë. Jemi duke punuar me Gjermaninë, me Kroacinë, me disa shtete të Bashkimit Evropian”, ka thënë Reçica për Express Intervistën në KTV.
Reçica ka folur edhe për sigurinë në punë duke thënë se ka nisur më herët një fushatë vetëdijesimi, në mënyrë që të parandalohen dëmtimet e mundshme. Ai ka thënë se punonjësit dhe punëdhënësit janë njoftuar se nëse nuk përmirësojnë kushtet në punë, do të merren masa.
“E kemi nisur më herët këtë fushatë për arsye se duam që para fillimit të vlugut të madh të punës të jenë të përgatitur punëtorët dhe punëdhënësit për rreziqet, sidomos te sektori i ndërtimtarisë. Kemi nisur të premten nga Prishtina. I kemi informuar për aktet nënligjore të pasuruara me direktivat e BE-së. Duhet të kenë më shumë kujdes për masat që duhet të ndërmerren për sigurinë dhe shëndetin në punë. Mos të merremi me dëme, por të parandalojmë. Nuk guxon një punonjës të rrijë në punë pa masat e sigurisë, të ketë helmetë, apo të punojë në një ambient ku nuk ka rrethojë sigurie, qoftë për të, por edhe për qytetarët tjerë”, ka thënë Reçica.
Ai ka deklaruar se ka kërkuar nga inspektorati që të jenë më shumë vigjilentë dhe të jenë më aktivë në marrjen e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sa i përket kategorisë së veteranëve, Reçica është zotuar se si ministri kanë siguruar mjetet e nevojshme për t’i kryer pagesat. Ai është deklaruar edhe për kategorinë e viktimave të dhunës në luftë. Ka treguar se deri tash janë pranuar 400 aplikacione, dhe se komisioni qeveritar tashmë ka proceduar rastet e para.
Reçica nuk ka pranuar të flasë për një numër përfundimtar të kësaj kategorie. Ai ka thënë se afati është i hapur për pesë vjet, dhe se kushdo që e konsideron se i plotëson kriteret duhet të aplikojë.
“Ka pas edhe refuzime sepse komisioni e ka mandatin për të vërtetuar nëse një qytetar që aplikon për këtë status. Mandati i komisionit qeveritar dhe afati për të gjitha viktimat që duan të aplikojnë për njohje të këtij statusi është pesë vjet, deri më 5 shkurt 2023. Në këtë periudhë ata qytetarë që kanë qenë të prekur dhe që konsiderojnë se i plotësojnë kriteret e parapara le të aplikojnë. Komisioni i vërteton”, ka thënë më tej ai.