Projeksionet e koalicionit qeverisës për shkurtimin e ministrive në 15, nga 21 sa kanë qenë më parë, kanë shtuar nevojën e riorganizimit të administratës shtetërore, si dhe të risistemit të shërbyesve civilë
Reduktimi i ministrive në qeverinë “Kurti” ka shtuar nevojën për risistemimin e nëpunësve civilë në dikastere përkatëse.
Shumë prej këtyre nëpunësve mund të përfundojnë në kategorinë “Shtesë”, teksa me ligj është e rregulluar që edhe për ta të vazhdojnë rregullisht pagesat, shkruan sot gazeta Zëri.
Projeksionet e koalicionit qeverisës për shkurtimin e ministrive në 15, nga 21 sa kanë qenë më parë, kanë shtuar nevojën e riorganizimit të administratës shtetërore, si dhe të risistemit të shërbyesve civilë.
Pavarësisht se nga anëtarët e shoqërisë civile ky proces konsiderohet i vështirë, përsëri po shihet i domosdoshëm për funksionalizimin e administratës shtetërore.
Ngritja e procesit të rekrutimit të nëpunësve të tjerë për një kohë të caktuar, gradualisht me daljen në pension të atyre që e arrijnë moshën 65-vjeçare, po konsiderohet si njëra ndër format përmes së cilës mund të arrihet ulja e numrit të nëpunësve civilë pa pasur nevojë të bëhen largime masive nga puna.