Reforma zgjedhore e Thaçit drejt dështimit

Prishtinë | 11 Mar 2017 | 09:54 | Nga

Reforma zgjedhore e iniciuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cila ishte paraparë që të përfundonte në pranverë është duke shkuar drejt dështimit.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur grupet punuese të reformës zgjedhore kanë dorëzuar propozimet e tyre tek presidenti, nuk është bërë asnjë hap tutje në këtë proces.

Thaçi gjatë fjalimit vjetor para deputetëve më 23 dhjetor të vitit 2016, kishte thënë se shumë shpjet propozimet do të dërgohen në Kuvend një gjë e tillë end nuk ka ndodhur.

“Ekipi im ka kryer punën e vet në përpilimin e propozimeve konkrete për reformën elektorale dhe mbetet në vullnetin tuaj politik, deputetë të nderuar, që propozimet që kanë rrjedhur nga konsultat e përbashkëta me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, shoqërinë civile, mekanizmat ndërkombëtarë, etj., të shndërrohen në vendime të Kuvendit të Kosovës”, ishte shprehur Thaçi.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë për lajmi.net se propozimet për reformën zgjedhore nuk kanë ardhur në Kuvend nga Presidenca.

Ndërsa, në Presidencë nuk kanë kthyer përgjigjeje se pse deri më tani nuk janë dërguar dhe se kur pritet të ndodh një gjë e tillë.

Por, për shoqërinë civile ky proces nuk pritet të ketë rezultatin e duhur.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, duke përmendur disa arsye se pse kjo reformë nuk do ta ketë suksesin e duhur, ka thënë se reforma zgjedhore është nisur për të adresuar çështje të caktuara që shkojnë në interes të individëve të caktuar.

“E para, ajo nuk është nisur me qëllimin e mirë që të ketë një reformë të mirëfilltë zgjedhore, por është nisur për të adresuar çështje të caktuara që shkojnë në interesa të individëve të caktuar, më konkretisht ndryshimin i kompetencave të Presidentit, ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe eventualisht mbyllja e listave”, ka vlerësuar Ismaili për lajmi.net.

Një arsye tjetër sipas tij, është edhe bojkotimi që i ka bërë opozita këtij procesi.

“Është e qartë që pa pjesëmarrje të opozitës dhe të gjithë spektrit politik, si dhe akterëve tjerë të përfshirë në zgjedhje nuk do të ketë sukses asnjë reformë zgjedhore”, ka thënë ai.

Ismaili shprehet se reforma zgjedhore mund të dështojë në tërësi, varësisht nga zhvillimet politike .

“Konsideroj që nëse nuk bëhet një reformë e mirëfilltë zgjedhore më mirë do të ishte që zgjedhjet e ardhshme të bëheshin me legjislacionin aktual zgjedhor dhe mos të bëhen eksperimente me ndryshme kozmetike e për interesa individuale”, ka thënë përfaqësuesi i Demokracia Plus për lajmi.net.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar presidenti Thaçi kishte mbajtur dy takime më përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile, për të diskutuar për reformën zgjedhore e cila prek 13 nene të Kushtetutës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme