Reforma zgjedhore ia shton presidentit kompetencat në fushën e sigurisë

Prishtinë | 26 Dhj 2016 | 08:24 | Nga

Më shumë kompetenca në fushën e sigurisë, e më pak në diplomaci, i janë përshkruar presidentit të Republikës në amendamentet kushtetuese që brenda pak kohësh pritet të procedohen për votim në Kuvend. Ato ndryshojnë fare pak nga amendamentet e finalizuara në 2012-n.
Pakoja e reformës zgjedhore, e iniciuar gjatë vjeshtës nga presidenti Hashim Thaçi, përmban amendamentet kushtetuese, Projektligjin për zgjedhjen e presidentit, Projektligjin për zgjedhjet e Kuvendit dhe Projektligjin për zgjedhjet lokale.

Këtyre dokumenteve, dora e fundit u është dhënë javën e shkuar. Dy ekipe punuese i kanë përgatitur ato në një punëtori që është mbajtur në Shqipëri, dhe e cila ka zgjatur nga 7 deri më 12 dhjetor, ndërkaq i janë dorëzuar presidentit më 19 dhjetor.

Presidenca nuk ka ofruar ndonjë të dhënë përkitazi me përmbajtjen e propozimeve për ndryshime kushtetuese, por një burim i gazetës që ka marrë pjesë në këtë punëtori, ka thënë se amendamentet nuk e fuqizojnë shumë kreun e shtetit. Ai ka theksuar të kenë mbetur gati të paprekura kompetencat që janë propozuar në amendamentet paraprake, të cilat nuk janë vënë për votim në Kuvend. (KohaDitore)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme